SPAK në Kushtetuese: Qëndrimi i Ballukut në detyrë përbën rrezik real për hetimin dhe interesin publik

Prokurorja e SPAK, Dorina Bejko, ka deklaruar në seancën publike të Gjykatës Kushtetuese se vijimi i detyrës nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndërkohë që ajo është marrë e pandehur, përbën një rrezik potencial serioz.

Gjatë shqyrtimit të ankimit të qeverisë kundër vendimit të GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga detyra, prokurorja theksoi se ekziston rreziku që e pandehura të ndikojë në provat e hetimit apo të kryejë vepra të tjera penale. Sipas saj, fakti që Balluku vazhdon të ushtrojë funksione drejtuese në një sektor me peshë të madhe si infrastruktura dhe energjia e shton këtë rrezik.

Bejko iu referua edhe deklaratës së përfaqësuesit të kryeministrit në seancë, sipas së cilës Balluku ka propozuar rreth 50 akte gjatë kësaj periudhe, çka, sipas SPAK-ut, tregon se ajo ka pasur dhe vijon të ketë mundësi reale për të vepruar në kundërshtim me ligjin.

“Hetimi është dinamik dhe në vlerësimin e përgjithshëm të rreziqeve rezulton se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga e hetuara cenon interesin publik. Ekziston rreziku konkret që, përmes vijimit të funksionit, ajo të kryejë vepra penale të së njëjtës natyrë dhe të ndikojë apo dëmtojë provat”, u shpreh prokurorja e SPAK në Gjykatën Kushtetuese.