PROPOZIMI/ Ashpërsohet Kodi Penal – Burg për parkimet dyshe dhe zënien e hapësirave publike

Qeveria ka propozuar ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal, duke parashikuar masa ndëshkuese më të ashpra, përfshirë edhe dënime me burg për shkelje që deri më tani trajtoheshin si kundërvajtje administrative.

Në Komisionin e Ligjeve, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamanllari, prezantoi draftin e qeverisë, i cili parashikon penalizimin e parkimeve dyshe, zënien e hapësirave publike, si dhe ashpërsimin e dënimeve për ndërtimet pa leje.

Sipas ministrit, parkimi në resht të dytë do të konsiderohet vepër penale në rastet kur pengon ndjeshëm qarkullimin rrugor apo bllokon lëvizjen e mjeteve të emergjencës, duke u kthyer në rrezik për sigurinë publike.

Në paketën e ndryshimeve është përfshirë edhe rishikimi i veprës penale të shpifjes, me synimin e dekriminalizimit të saj për gazetarët.

Drafti i propozuar nga Këshilli i Ministrave ka mbërritur në Komisionin e Ligjeve, ku ndryshimet janë miratuar në parim dhe pritet të vijojë procedura parlamentare për shqyrtim dhe votim.