Presidenti amerikan Donald Trump ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake për marrjen nën kontroll të Groenlandës, duke dhënë deklaratën e tij më të qartë deri më tani lidhur me planet për ishullin Arktik. Ai theksoi se nuk ka ndërmend të përdorë fuqinë, pavarësisht bindjes së tij se SHBA-të do të ishin “të pandalshme” nëse do ta bënin këtë.
“Nuk kam pse të përdor forcë. Nuk dua të përdor forcë dhe nuk do ta bëj këtë”, deklaroi Trump, duke shtuar se kjo është, sipas tij, deklarata më e rëndësishme që ka bërë mbi këtë çështje, pasi shumë kishin menduar se ai do të zgjidhte rrugën ushtarake.
Megjithatë, presidenti amerikan nuk hoqi dorë nga ambicia për Groenlandën, duke theksuar se synimi i SHBA-së mbetet marrja e plotë e pronësisë së territorit dhe jo një marrëveshje e përkohshme apo e tipit qira. “Ju nevojitet pronësia për ta mbrojtur atë. Nuk mund ta mbroni Groenlandën me kontratë qiraje”, u shpreh Trump.
Ai bëri thirrje për nisjen e “negociatave të menjëhershme” me aleatët evropianë për një blerje të mundshme të Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara.
Duke folur përpara liderëve botërorë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Trump argumentoi se aneksimi i Groenlandës – territor autonom i Danimarkës dhe pjesë e një vendi anëtar të NATO-s – do të ishte në interesin e përbashkët të Amerikës dhe Evropës.
“Shtetet e Bashkuara janë të vetmet që mund ta mbrojnë, zhvillojnë dhe sigurojnë këtë masë gjigante toke dhe akulli, në mënyrë që të jetë e sigurt për Evropën dhe e dobishme për të gjithë”, deklaroi presidenti amerikan.









