Tragjedi në burgun e Koridhalos: I dënuari grek vret me thikë shqiptarin pas sherrit (EMRI)

Një përplasje e çastit mes dy të dënuarve, një grek dhe një shqiptar (i shumëkërkuari Jani Aliaj), ka degjeneruar në një ngjarje të rëndë në burgun famëkeq të Koridhalos në Greqi. Sherri, i cili dyshohet se nisi për motive banale, përfundoi me vrasjen e të burgosurit shqiptar dhe plagosjen e lehtë të autorit grek.

Sipas burimeve policore, dy të dënuarit u përfshinë fillimisht në një konflikt verbal që më pas u kthye në përleshje fizike. Në rrethana ende të paqarta, i dënuari grek ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur disa herë shqiptarin, duke e lënë të pajetë në vend.

Ngjarja raportohet nga korrespondenti i Top Channel në Greqi, Artur Bibe. Mësohet se si autori, ashtu edhe viktima ndodheshin në burg për vepra të rënda penale, konkretisht për vrasje.

Autori i krimit është arrestuar menjëherë, ndërsa autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes së rëndë.