Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur që në 28 komuna të kryhet rinumërim i plotë i votave të hedhura në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, pas evidentimit të pasaktësive serioze gjatë procesit fillestar të numërimit.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, deklaroi se raporti nga procesi i rinumërimit ka nxjerrë në pah probleme të theksuara në numërimin e votave për kandidatët, ndërsa votat për subjektet politike rezultojnë në pjesën më të madhe të sakta.
Gjatë mbledhjes së KQZ-së, Radoniqi bëri të ditur se institucioni ka pranuar raportin paraprak nga rinumërimi që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR). Sipas tij, aktualisht 914 vendvotime janë në proces rinumërimi, në përputhje me vendimin e KQZ-së.
“Në 10 komuna po realizohet rinumërim i plotë i të gjitha vendvotimeve, ndërsa në 28 komuna të tjera po rinumërohet rreth 10 për qind e vendvotimeve. Megjithatë, bazuar në të dhënat e deritanishme, është vlerësuar e nevojshme që rinumërimi të shtrihet në mënyrë të plotë edhe në këto komuna”, u shpreh Radoniqi.
Ai theksoi se raporti, i bazuar në të dhëna deri më 13 janar, tregon se ndryshimet në votat e subjekteve politike janë minimale dhe të papërfillshme. Ndryshe paraqitet situata për votat e kandidatëve, ku janë konstatuar mospërputhje të konsiderueshme.
Sipas shifrave zyrtare, nga rinumërimi janë zbritur 36.007 vota nga kandidatët për shkak të regjistrimeve të gabuara, ndërsa 20.978 vota u janë shtuar kandidatëve pasi nuk ishin pasqyruar saktë gjatë numërimit fillestar.
Radoniqi veçoi Komunën e Prizrenit si rastin më problematik, duke e cilësuar atë si shembullin më ekstrem të pasaktësive në procesin e numërimit. Ai bëri të ditur se Këshilli për Operacione Zgjedhore ka rekomanduar jo vetëm rinumërimin e plotë në 28 komuna, por edhe ndërprerjen e mandatit të përfaqësuesve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Prizren.
Në fund, kreu i KQZ-së konfirmoi se të gjitha gjetjet nga rinumërimi do t’i përcillen Prokurorisë së Shtetit, duke garantuar bashkëpunim të plotë institucional për hetimin e mëtejshëm të çështjes.









