Berisha u justifikohet demokratëve – fajëson Ramën për tentativë kapjeje të opozitës: Loboi me Sorosin për të më neutralizuar politikisht

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka tentuar të korruptojë dhe të kontrollojë opozitën shqiptare, duke synuar shndërrimin e saj në një “opozitë fasadë” në shërbim të qeverisë.

Gjatë një fjalimi para mbështetësve, Berisha deklaroi se Rama ka lobuar edhe me financuesin amerikan George Soros për të minuar ndikimin e tij politik, duke e mbajtur jashtë funksioneve drejtuese për rreth tetë vite. Sipas tij, ky ishte një plan i qëllimshëm për të shuar zërin real të opozitës në vend.

“Edi Rama vendosi në mënyrë makabre ta kapte tërësisht këtë opozitë, nga kreu, ta korruptonte dhe ta kthente në një vegël të tijën. Ai loboi me George Soros kundër meje, vetëm e vetëm për të heshtur opozitën e vërtetë”, u shpreh Berisha.

Berisha vlerësoi qëndrimin e demokratëve, të cilët, sipas tij, refuzuan presionet, shantazhet dhe mashtrimet për të mos tradhtuar idealet e tyre. Ai theksoi se anëtarët e PD-së nuk pranuan që dinjiteti, liria dhe vlerat themelore të ktheheshin në “plaçkë tregu”, edhe pse kjo i ekspozoi ndaj një “kalvari të pamerituar”.

Në fjalën e tij, Berisha e cilësoi Partinë Demokratike si një forcë që ka ndarë epoka dhe sisteme, duke vendosur interesin kombëtar në themel të programit të saj politik. Ai nënvizoi se pa interes kombëtar nuk mund të ketë zhvillim dhe as një shoqëri të qytetëruar.

“Ne u rrëzuam, por u ngritëm sërish. Ne nuk mposhtemi kurrë”, përfundoi Berisha, duke e cilësuar qëndrimin e demokratëve si një zgjedhje historike dhe të guximshme në mbrojtje të së vërtetës.