RRITJE TENSIONESH/ Dislokim i mundshëm ushtarak në Minesota – Pentagoni vendos në gatishmëri 1.500 trupa

Pentagoni ka urdhëruar rreth 1.500 ushtarë aktivë të Forcave të Armatosura të SHBA-së që të jenë në gatishmëri për një dislokim të mundshëm në shtetin e Minesotës, nëse situata e sigurisë përkeqësohet. Lajmi është raportuar nga Washington Post, duke cituar burime nga mbrojtja, ndërsa Reuters bën të ditur se nuk ka arritur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur këtë informacion.

Sipas raportimeve, njësitë ushtarake janë vënë në alarm dhe mund të dislokohen nëse dhuna dhe trazirat në shtet përshkallëzohen. Ky zhvillim vjen pas paralajmërimeve të presidentit Donald Trump për aktivizimin e “Ligjit për Kryengritjen”, në rast se autoritetet lokale të Minesotës nuk arrijnë të frenojnë protestat dhe incidentet e dhunshme.

Presidenti Trump akuzoi drejtuesit e shtetit për dështim në zbatimin e ligjit, duke i cilësuar protestuesit si “traziraxhinj profesionistë” që, sipas tij, po sulmojnë agjentët federalë të emigracionit (ICE). “Nëse politikanët e korruptuar të Minesotës nuk veprojnë dhe nuk ndalin sulmet ndaj agjentëve patriotë të ICE, do të zbatoj Ligjin për Kryengritjen”, shkroi Trump në rrjetin social Truth Social.

Deri më tani, as Pentagoni dhe as Shtëpia e Bardhë nuk kanë dhënë një reagim zyrtar lidhur me këto zhvillime.

Ndërkohë, qindra protestues kundër ICE dolën në rrugë të shtunën në Minneapolis, duke u mbledhur pranë bashkisë së qytetit. Ata kërkuan largimin e agjencisë federale nga Minesota dhe mbajtën pankarta në mbështetje të komuniteteve emigrante. Gjatë protestës, një grup i vogël aktivistësh të ekstremit të djathtë, rreth 10 persona, u rrethua nga demonstruesit dhe u detyrua të tërhiqej.

U raportuan incidente të vogla, përfshirë hedhje balonash me ujë, pavarësisht temperaturave ekstreme që zbritën deri në -20 gradë Celsius. Policia qëndroi kryesisht në distancë dhe nuk pati përplasje serioze. Pas rreth një ore, aktivistët e ekstremit të djathtë u larguan dhe u strehuan në një hotel aty pranë.

Tensionet në Minneapolis mbeten të larta, ndërsa qyteti vijon të jetë i tronditur nga vrasja e Renee Good, e cila u qëllua për vdekje nga një agjent i ICE rreth dhjetë ditë më parë.