Policia e Fierit ka goditur një rast të hedhjes në treg të ilaçeve të skaduara dhe të medikamenteve të futura kontrabandë, pa faturë tatimore. Pas një hetimi disamujore të ndjekur me metoda speciale, u finalizua operacioni policor i koduar “Skadenca”.
Si rezultat i hetimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi B. B., 42 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se magazinonte në banesën e tij medikamente të ndryshme pa faturë tatimore dhe një sasi të konsiderueshme të skaduara, të cilat më pas i hidhte në treg duke furnizuar farmacitë e qytetit të Fierit, me qëllim përfitimi.
Gjatë kontrollit të banesës, të kryer me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u sekuestruan 4289 kuti medikamentesh, nga të cilat 1635 kuti ishin të skaduara, ndërsa 2654 kuti pa faturë tatimore, që dyshohet se janë futur kontrabandë.
Operacioni u zhvillua nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale:
- “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”
- “Fshehja e të ardhurave”
- “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”
- “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”









