AKTI/ Ukraina digjet, Spiropali dekorohet – Zelensky ja “nderon” kryediplomaten Ramës: Urdhri i Princeshës Ollga i Klasit të Parë

Teksa Ukraina vijon të përballet me bombardime, viktima dhe një luftë për mbijetesë, presidenti Volodymyr Zelensky ka gjetur kohë për një ceremoni zyrtare dekorimi. Në Kiev, këtë të enjte, ai ka nderuar ministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, me “Urdhrin e Princeshës Ollgë të Klasit të Parë”, një nga dekoratat më të larta të shtetit ukrainas.

Në mes të krizës dhe tensioneve të luftës, kryediplomatja shqiptare u vlerësua për mbështetjen politike të Shqipërisë ndaj Ukrainës, duke e pranuar dekoratën me fjalime solemne dhe tone patetike, të cilat nuk munguan as këtë herë.

“Ky nder nuk i përket vetëm një personi, por qëndrimit të Shqipërisë dhe çdo europiani që zgjedh të qëndrojë në anën e lirisë”, deklaroi Spiropali, duke shtuar se Ukraina sot po mbron jo vetëm territorin e saj, por edhe “ndërgjegjen e Europës”.

Edhe pse vendi është nën sulme të vazhdueshme dhe popullsia përballet me pasiguri të përditshme, ceremonia u shfrytëzua për reflektime të thella mbi fatin e kontinentit. Sipas ministres, në qytetet e bombarduara të Ukrainës po vendoset nëse Europa do të jetojë në paqe apo nën frikë.

Spiropali theksoi gjithashtu simbolikën e dekoratës që mban emrin e Princeshës Olga, një figurë historike që udhëhoqi në kohë të errëta, duke e cilësuar marrjen e këtij urdhri, në mes të një lufte për mbijetesë, si “një përgjegjësi morale po aq sa një nder”.