I emëruar prej 9 vitesh nga Edi Rama në krye të Inspektoriatit Qendror – Shkëlqim Hajdari, babai i Arbër Hajdarit jep dorëheqjen

Shkëlqim Hajdari ka dhënë dorëheqje nga posti i Kryeinspektorit të Përgjithshëm të Inspektoriatit Qendror, duke i dhënë fund një mandati që zgjati mbi nëntë vite. Burime për mediat bëjnë me dije se vendimi i tij ka qenë i papritur.

Hajdari e mbante këtë detyrë që prej korrikut të vitit 2016, kur u emërua në krye të Inspektoriatit Qendror. Ish-prokurori u përzgjodh për këtë post pas largimit nga sistemi i prokurorisë, ku kishte në dorë çështje të rëndësishme si dosja e “21 Janarit” dhe ajo e ish-ministrit Saimir Tahiri.

Me mbështetjen e kryeministrit Edi Rama, Hajdarit iu besua drejtimi dhe koordinimi i një sërë inspektoriatesh kyçe, përfshirë ato të doganave, bujqësisë dhe sektorëve të tjerë.

Me një karrierë mbi 20-vjeçare në sistemin e drejtësisë, Shkëlqim Hajdari dha dorëheqjen si Prokuror i Shkodrës në vitin 2016 dhe prej asaj kohe ushtronte funksionin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm të Inspektoriatit Qendror.