Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka komentuar me nota ironie situatën e tensionuar globale, duke u thënë privatisht ligjvënësve evropianë se zhvillimet ndërkombëtare mund ta bëjnë këtë një “moment të mirë” për të filluar konsumimin e alkoolit.
Sipas dy personave të pranishëm në sallë, të cituar nga Politico, Kallas u shpreh me shaka para udhëheqësve të grupeve politike në Parlamentin Evropian se zakonisht nuk konsumon shumë alkool, por se ngjarjet e fundit në botë mund ta ndryshojnë këtë.
Deklarata u bë pothuajse në të njëjtën kohë kur ministrat e Jashtëm të Groenlandës dhe Danimarkës po zhvillonin një takim me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, në lidhje me kërcënimet e presidentit Donald Trump për një ndërhyrje apo aneksim të ishullit Arktik.
Komentet ironike të Kallas u bënë gjatë një mbledhjeje të Konferencës së Presidentëve, forum ku mblidhen drejtuesit e grupeve politike të Parlamentit Evropian. Ato erdhën pasi eurodeputetët shkëmbyen urime për Vitin e Ri, megjithëse, sipas burimeve të pranishme, shumë prej tyre ranë dakord se situata globale nuk lë shumë vend për optimizëm.
Me shqetësimet në rritje në Evropë për ambiciet e Trump ndaj Groenlandës, protestat masive kundër regjimit islamist në Iran, konfliktet e vazhdueshme në Ukrainë dhe Gaza, si dhe operacionin amerikan në Venezuelë, çështjet gjeopolitike janë shndërruar në prioritetin më urgjent të Bashkimit Evropian.
Së fundmi, Kallas deklaroi për Politico se është e gatshme të propozojë sanksione të reja kundër Iranit, pas goditjes së dhunshme të autoriteteve, e cila sipas raportimeve ka shkaktuar qindra viktima.
Zëdhënësi i Kallas nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment lidhur me deklaratat.









