AMNISTIA/ Një epokë e re për Venezuelën: Rodriguez nis lirimin e të burgosurve politikë pas rrëzimit të Maduros

Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, deklaroi të mërkurën se vendi po hyn në një fazë të re politike, të karakterizuar nga tolerancë më e madhe ndaj kundërshtarëve politikë, pas rrëzimit të ish-presidentit Nicolas Maduro nga Shtetet e Bashkuara.

Në konferencën e saj të parë për shtyp që nga arrestimi i bujshëm i Maduros nga forcat amerikane më 3 janar, Rodriguez u përpoq të shfaqej si figurë unifikuese, duke theksuar se pas 12 vitesh sundimi represiv, Venezuela po hapet drejt një epoke të re politike.

“Sot po ndërtojmë një Venezuelë të re, që lejon mirëkuptim pavarësisht dallimeve dhe respekton diversitetin ideologjik dhe politik”, deklaroi ajo nga pallati presidencial.

Pas rrëzimit të Maduros, presidenti amerikan Donald Trump pranoi që Rodriguez të merrte drejtimin e vendit, me kusht që ajo të ndjekë një kurs politik në përputhje me interesat e Uashingtonit. Me këtë vendim, Trump la mënjanë udhëheqësen e opozitës anti-Maduro dhe fituesen e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Corina Machado, duke argumentuar se ajo nuk gëzonte mbështetje të mjaftueshme brenda Venezuelës.

Machado pritet të takohet të enjten me Trump në Shtëpinë e Bardhë, ku do të kërkojë një tranzicion demokratik që përfshin edhe veten, si dhe Edmundo Gonzalez Urrutia, kandidatin e saj në zgjedhjet e vitit 2024, të cilat opozita pretendon se u manipuluan nga regjimi i Maduros.

Deri tani, administrata Trump është përqendruar kryesisht në sigurimin e aksesit në rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës. Megjithatë, Trump deklaroi se kishte planifikuar një ndërhyrje të dytë kundër vendit, por hoqi dorë nga ajo pasi qeveria venezueliane njoftoi lirimin e një numri të madh disidentësh politikë, të cilët kishin vuajtur burgime shumëvjeçare.

Rodriguez bëri të ditur se që nga dhjetori janë liruar 406 të burgosur, një proces që u përshpejtua ndjeshëm gjatë javës së fundit dhe që, sipas saj, ende nuk ka përfunduar. Ndërkohë, organizata për të drejtat ligjore Foro Penal raportoi një shifër më të ulët, rreth 180 të liruar, ndërsa një përllogaritje e AFP-së, bazuar në të dhëna nga OJQ-të dhe opozita, flet për 70 persona të liruar që nga 8 janari.

Mes të liruarve ka edhe shtetas amerikanë, fakt i konfirmuar nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së, pa dhënë detaje për numrin e tyre.

Procesi i lirimeve vazhdoi edhe të mërkurën, me daljen nga burgu të 17 gazetarëve dhe punonjësve të medias. Mes tyre ishte edhe gazetari dhe aktivisti i njohur i opozitës, Roland Carreño, i arrestuar në gusht 2024 gjatë protestave paszgjedhore. Sipas Unionit Kombëtar të Punonjësve të Shtypit, ai kishte kaluar mbi një vit e pesë muaj në paraburgim.

Carreño, anëtar i partisë opozitare “Vullneti Popullor”, ishte arrestuar edhe më herët, midis viteve 2020 dhe 2023, nën akuza për terrorizëm – akuza që shpesh përdoren për të ndëshkuar kundërshtarët politikë në Venezuelë. Në një video pas lirimit, ai bëri thirrje për paqe dhe pajtim kombëtar.

Mes të liruarve ishte edhe analisti politik Nicmer Evans, drejtor i agjencisë së lajmeve Punto de Corte.

Rodriguez po përpiqet të ruajë një ekuilibër delikat mes përmbushjes së kërkesave të SHBA-së dhe mosalienimit të strukturave besnike ndaj Maduros, të cilat vazhdojnë të kontrollojnë forcat e sigurisë dhe shërbimet e inteligjencës.

Për të shmangur skena publike festimesh nga opozita, autoritetet kanë zgjedhur t’i lirojnë të burgosurit në heshtje, larg kamerave dhe familjarëve që presin jashtë qendrave të paraburgimit. Carreño, për shembull, u lirua në një qendër tregtare, ndërsa ish-kandidati presidencial Enrique Márquez u dërgua në shtëpi me një automjet policie.

Gjatë javës së kaluar janë liruar gjithashtu disa shtetas spanjollë dhe italianë, ndërsa SHBA kishte siguruar më herët lirimin e disa qytetarëve të saj përmes një marrëveshjeje me Maduron.

Në planin e brendshëm, qytetarët venezuelianë rifituan të martën aksesin në platformën X, e cila kishte qenë e bllokuar për më shumë se një vit nga qeveria e Maduros.

Rodriguez përditësoi profilin e saj në X duke u prezantuar si “presidente në detyrë” dhe shkroi: “Le të qëndrojmë të bashkuar, duke ecur drejt stabilitetit ekonomik, drejtësisë sociale dhe shtetit të mirëqenies që meritojmë.”

Ndërkohë, llogaria e Nicolas Maduros u riaktivizua me një foto të tij dhe bashkëshortes, Cilia Flores, shoqëruar me mesazhin: “Ne duam që të kthehesh.”