Pas kallëzimit penal të depozituar në SPAK ndaj Belind Këlliçit lidhur me zhvillimet e Kuvendit të Rithemelimit të Partisë Demokratike në vitin 2021, mësohet se edhe një tjetër emër i rëndësishëm i PD-së është përfshirë në verifikimet e Prokurorisë së Posaçme, si pasojë e denoncimeve publike të Gazment Bardhit.
Sipas gazetës TemA, indicien fillestare për nisjen e hetimeve ndaj deputetit Flamur Noka është dhënë nga deklaratat publike të Bardhit, i cili më herët e ka akuzuar Nokën për shpifje, për lidhje me interesa të dyshimta financiare dhe për fshehje pasurie, konkretisht për mosdeklarimin e një vile me vlerë rreth 760 mijë euro në Gjirin e Lalzit.
Në një reagim të ashpër, Bardhi kishte mohuar çdo akuzë ndaj vetes, duke deklaruar se nuk ka pasuri të fshehura, investime në bizneset e oligarkëve apo lidhje me financues apo individë me precedentë kriminalë. Ai theksonte se akuzat ndaj tij shërbenin për të mbuluar interesa të errëta dhe pasuri të padeklaruara.
Këto deklarata publike, të shoqëruara me akuza konkrete, kanë nxitur interesimin e SPAK, duke e futur edhe Flamur Nokën në rrethin e figurave të Partisë Demokratike që po verifikohen nga Prokuroria e Posaçme.
Ndryshe nga rasti i Belind Këlliçit, i cili lidhet me aspektet organizative dhe ligjore të Kuvendit të Rithemelimit, çështja që përfshin Flamur Nokën prek akuza që lidhen me pasurinë, korrupsionin dhe lidhje të mundshme me interesa kriminale, duke e bërë hetimin potencialisht më të gjerë dhe më kompleks.









