MEDIA AMERIKANE/ WSJ: Trump anon drejt ndërhyrjes ushtarake ndaj Iranit – Vance i mëshon diplomacisë; mbi 648 të vrarë dhe vendi pa internet prej më shumë se 100 orësh

Shtëpia e Bardhë po shqyrton një propozim të ri nga Irani për angazhim diplomatik, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump duket gjithnjë e më i prirur të miratojë goditje të reja ushtarake kundër Teheranit, raportojnë media amerikane, përfshirë Wall Street Journal.

Sipas burimeve qeveritare, brenda administratës amerikane ka ndarje qëndrimesh. Disa zyrtarë të lartë, mes tyre zëvendëspresidenti J.D. Vance, po i bëjnë thirrje Trump të ndjekë fillimisht rrugën diplomatike, përpara çdo veprimi ushtarak ndaj Iranit, në një kohë kur represioni ndaj protestuesve ka hyrë në javën e tretë.

Trump deklaroi të dielën nga Air Force One se Irani i kishte dërguar një mesazh Uashingtonit një ditë më parë, duke shprehur gatishmërinë për negociata mbi programin bërthamor. “Po organizohet një takim,” tha presidenti, duke shtuar se SHBA-të po shqyrtojnë ende “opsione shumë të fuqishme” që mund të miratohen përpara nisjes së bisedimeve.

Zyrtarët amerikanë bëjnë të ditur se presidenti nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar dhe pritet të zhvillojë një takim vendimtar me këshilltarët e tij të martën. Mes opsioneve në diskutim janë goditje ushtarake ndaj objektivave të regjimit iranian, sulme kibernetike, sanksione të reja dhe intensifikimi i mbështetjes online për grupet anti-regjim. Disa këshilltarë paralajmërojnë se sulmet mund të forcojnë propagandën e Teheranit, e cila akuzon SHBA-në dhe Izraelin për orkestrimin e protestave.

Protestat në Iran, që nisën në fund të dhjetorit dhe u përshkallëzuan më 8 janar në qytetet kryesore, konsiderohen një nga sfidat më serioze për regjimin. Organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë se të paktën 648 persona kanë humbur jetën deri tani, ndërsa vendi ka mbetur pa internet për më shumë se 100 orë.

Megjithëse Trump aktualisht duket se favorizon goditjet ushtarake, burime pranë administratës thonë se qëndrimi i tij mund të ndryshojë në varësi të zhvillimeve në terren dhe diskutimeve të brendshme. Disa zyrtarë parashikojnë një skenar ku SHBA-ja mund të kryejë sulme të kufizuara dhe më pas të kërkojë negociata serioze me Teheranin.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Irani është “i gatshëm për negociata të drejta, me të drejta të barabarta dhe mbi bazën e respektit reciprok”, por paralajmëroi se në mungesë të diplomacisë vendi është “plotësisht i përgatitur për luftë”. Ai konfirmoi gjithashtu kontaktet me të dërguarin special të Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, për organizimin e takimeve me palën amerikane.

Zyrtarë amerikanë mbeten skeptikë ndaj sinqeritetit të Teheranit, duke paralajmëruar se Irani mund të përdorë negociatat për të fituar kohë dhe për të shmangur sulmet ajrore, ndërsa përpiqet të ruajë legjitimitetin e brendshëm përballë protestave masive.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levit, theksoi se Trump zakonisht favorizon diplomacinë, por nuk përjashton kurrë përdorimin e forcës. “Sa i përket Iranit, askush nuk e di se çfarë do të bëjë presidenti Trump, përveç vetë tij,” deklaroi ajo.

Ndërkohë, udhëheqësi suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, u shfaq publikisht duke mbështetur protesta pro-qeveritare në Teheran, të cilat televizioni shtetëror i cilësoi si një “paralajmërim” drejtuar Shteteve të Bashkuara.