Qeveria e Groenlandës ka deklaruar se nuk do ta pranojë “nën asnjë rrethanë” marrjen nën kontroll të ishullit nga Shtetet e Bashkuara, pas deklaratave të reja të presidentit amerikan Donald Trump, i cili rikonfirmoi interesin e tij për territorin strategjik arktik.
Në nisje të një jave vendimtare për Groenlandën, ishull pjesërisht vetëqeverisës dhe pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, Trump deklaroi se SHBA-të do ta merrnin Groenlandën “në një mënyrë ose në një tjetër”. Këto komente kanë shkaktuar shqetësim të madh në Bashkimin Evropian dhe në NATO, pasi presidenti amerikan nuk përjashtoi as përdorimin e forcës ushtarake për realizimin e këtij qëllimi.
Groenlanda, si territor i mbrojtur nga garancitë e NATO-s përmes anëtarësisë së Danimarkës në aleancë dhe në BE, e konsideron çdo skenar të tillë të papranueshëm. Në një deklaratë zyrtare, qeveria e ishullit theksoi se Groenlanda është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës dhe, si e tillë, anëtare e NATO-s, duke shtuar se do të intensifikojë përpjekjet për mbrojtjen e territorit brenda kornizës së aleancës.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, bëri të ditur se aleanca po shqyrton mundësi për forcimin e sigurisë në Arktik, përfshirë dislokimin e pajisjeve shtesë, stërvitje ushtarake apo nisjen e një misioni të ri, megjithëse diskutimet janë ende në fazë të hershme.
Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, dhe homologu i saj danez, Lars Løkke Rasmussen, pritet të takohen në Washington me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për të diskutuar situatën. Danimarka ka rikujtuar se një traktat i vitit 1951 i jep tashmë SHBA-ve të drejtën të zgjerojnë praninë e tyre ushtarake në territor, por ka theksuar sërish se Groenlanda “nuk është për shitje”, duke shprehur shpresën për një zgjidhje diplomatike.
Koalicioni qeverisës në Groenlandë nënvizon se ishulli do të mbetet pjesë e aleancës perëndimore të mbrojtjes dhe se të gjitha vendet anëtare të NATO-s, përfshirë SHBA-të, kanë interes të përbashkët në garantimin e sigurisë së tij.
Trump ka argumentuar se kontrolli amerikan mbi Groenlandën është i nevojshëm për të forcuar sigurinë në Arktik përballë, sipas tij, kërcënimeve nga Kina dhe Rusia. Nga ana tjetër, Komisioneri evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, paralajmëroi se çdo përdorim force nga SHBA-të do të nënkuptonte “fundin e NATO-s” dhe se vendet e BE-së do të ishin të detyruara të mbështesnin Danimarkën në rast agresioni.
Edhe Kina reagoi ndaj zhvillimeve, duke kritikuar interesin amerikan për Groenlandën dhe duke theksuar se Arktiku është një rajon me rëndësi globale, ku duhet të respektohet sovraniteti dhe e drejta e çdo vendi për aktivitete të ligjshme.









