DEKLARATA/ SHBA revokon mbi 100 mijë viza – DASH paralajmëron deportime për persona të lidhur me veprimtari kriminale

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se ka revokuar mbi 100 mijë viza për shtetas të huaj që kanë pasur kontakte me forcat e rendit në Shtetet e Bashkuara për veprimtari kriminale.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, DASH bën të ditur se vendimi përfshin rreth 8 mijë viza studentore dhe 2,500 viza për punëtorë të specializuar. Sipas autoriteteve amerikane, personat e përfshirë kanë pasur probleme me ligjin dhe do t’i nënshtrohen procedurave të deportimit. “Do të vazhdojmë të largojmë këta individë për të garantuar sigurinë e SHBA-ve”, thuhet në njoftim.

Sipas raportimeve, kjo shifër përbën një rekord historik dhe është më shumë se dyfishi i vizave të revokuara gjatë vitit 2024. Vendimi vjen në kuadër të politikave të reja të administratës Trump, që synojnë forcimin e kontrollit të vizave dhe rritjen e masave të sigurisë kombëtare.

Pjesa më e madhe e vizave të revokuara i përkasin udhëtarëve biznesi dhe turistëve që kishin tejkaluar afatin e lejuar të qëndrimit. Ndërkohë, rreth 8 mijë studentë dhe 2,500 punëtorë të specializuar humbën statusin e tyre ligjor për shkak të kontakteve me aktivitet kriminal, sipas autoriteteve.

Në rastin e punëtorëve të specializuar, afro gjysma e revokimeve lidhen me arrestime për drejtim mjeti në gjendje të dehur, ndërsa pjesa tjetër me akuza si sulm, vjedhje, abuzim ndaj fëmijëve, shpërndarje lëndësh narkotike dhe mashtrim financiar.

Administrata Trump ka paralajmëruar se do të vijojë verifikimin e vazhdueshëm të të gjithë shtetasve të huaj me viza të vlefshme, përmes një qendre të re kontrolli. Po ashtu, janë vendosur kritere më të rrepta për aplikantët e rinj, përfshirë zbatimin e rregullit të “ngarkesës publike”, që mund të çojë në refuzimin e vizave për personat e konsideruar të varur nga përfitimet sociale.

Ndërkohë, një gjykatë federale ka sinjalizuar se mund të bllokojë përkohësisht vendimin e administratës për t’i dhënë fund disa programeve të bashkimit familjar për shtetas nga vendet e Amerikës Latine, çka pritet të ndikojë mijëra aplikantë.

Ky zhvillim shënon një tjetër hap të administratës Trump për të ndryshuar politikat e emigracionit të ndjekura nga administrata Biden dhe për të forcuar masat kundër emigracionit të paligjshëm.