Portieri i Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha, shprehet hapur dhe pa hezitim për origjinën e tij, duke theksuar se ndihet krenar që është shqiptar nga Himara, edhe pse është lindur dhe rritur në Athinë.
Në një intervistë për Athletico.gr, Strakosha pranoi se shumë shqiptarë që jetojnë në Greqi zgjedhin ta fshehin prejardhjen e tyre, ndërsa rrëfeu se shpesh has fëmijë me origjinë shqiptare në Akademinë e AEK-ut.
“Shpesh takoj fëmijë në akademinë e AEK-ut që vijnë dhe më thonë se janë shqiptarë. Kjo më bën krenar. Unë e respektoj Greqinë, por origjina ime është nga Himara dhe jam krenar që jam shqiptar”, u shpreh portieri kuqezi.
Gjatë podcast-it ku ishte i ftuar, u diskutua edhe për figurën e babait të tij, ish-portierit të njohur Foto Strakosha, në gjurmët e të cilit po ecën edhe Thomasi 30-vjeçar.
Karrierën e tij ai e nisi te APOEL në Nicosia, për ta vijuar më pas te Panionios në Athinë dhe Lazio në Romë, ku edhe debutoi në futbollin profesionist. Pas nëntë vitesh në Serie A, Strakosha u transferua në Premier League te Brentford.
Në vitin 2024, ai u rikthye në Athinë, duke firmosur për AEK-un, klub me të cilin aktivizohet edhe aktualisht.
Sot, Thomas Strakosha renditet mes pesë portierëve më të suksesshëm në 15 kampionatet kryesore evropiane, duke regjistruar 22 ndeshje pa pësuar gol në të gjitha kompeticionet gjatë vitit kalendarik.









