Mbështetja e qytetarëve serbë për anëtarësimin në Bashkimin Europian ka pësuar një rënie të ndjeshme, me vetëm rreth një të tretën e popullsisë që shprehet ende në favor të hyrjes në bllok, sipas një sondazhi të fundit.
Studimi i realizuar nga Qendra për Politikë Bashkëkohore (CSP), me seli në Beograd, tregon se vetëm 36% e serbëve mbështesin anëtarësimin në BE, ndërsa shumica nuk e shohin më vendin si pjesë të projektit europian. Krahasuar me rreth 15 vite më parë, kur afro 70% e popullsisë ishte pro integrimit, rënia e mbështetjes është e thellë dhe e vazhdueshme.
Një nga arsyet kryesore të këtij zhgënjimi konsiderohet procesi i stërzgjatur i integrimit. Serbia ka pritur për më shumë se 14 vite për anëtarësim, ndërkohë që vende fqinje si Mali i Zi dhe Shqipëria kanë avancuar më shpejt në rrugën drejt Brukselit.
Rezultatet e sondazhit kanë hapur debate të gjera në Serbi mbi përgjegjësinë për këtë krizë besimi ndaj BE-së. Një pjesë e opinionit publik fajëson qeverinë, të cilës i atribuohet nxitja e qëndrimeve anti-perëndimore përmes mediave pranë pushtetit, ndërsa të tjerë kritikojnë vetë Bashkimin Europian për vonesat dhe bllokimet e procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.
Ekspertja për çështjet europiane, Bojana Selakoviç, thekson se përgjegjësia është e dyanshme. Sipas saj, ndonëse qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiç nuk e ka braktisur zyrtarisht kursin europian, anëtarësimi realisht nuk ka qenë kurrë prioritet i saj strategjik.
Ndërkohë, Serbia ndodhet prej më shumë se një viti në një situatë të tensionuar politike. Pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona, vendi është përfshirë nga protesta javore. Presidenti Vuçiç ka paralajmëruar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare gjatë këtij viti, një kërkesë kryesore e protestuesve, veçanërisht e studentëve.









