Rivendosja e marrëdhënieve me Venezuelën – diplomatë amerikanë të pranishëm në Karakas për bisedime

Diplomatë amerikanë kanë zhvilluar sot bisedime në Karakas me qëllim rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës, të ndërprera që prej vitit 2019. Lajmi u konfirmua nga autoritetet venezueliane dhe burime amerikane.

Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Ivan Gil, deklaroi se qeveria ka vendosur të nisë një “proces eksplorues” për rikthimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Sipas tij, delegacioni amerikan ndodhej në Karakas që prej së premtes, fakt i konfirmuar edhe nga një zyrtar i Uashingtonit.

Zhvillimi vjen pak ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kishte anuluar një sulm të dytë ndaj Venezuelës, duke përmendur bashkëpunimin e Karakasit me SHBA-të. Trump e cilësoi lirimin e disa kundërshtarëve politikë si një hap “të rëndësishëm dhe të zgjuar” dhe theksoi se dy vendet po bashkëpunojnë, veçanërisht në sektorin e naftës.

Nga ana e saj, zëvendëspresidentja dhe presidente e përkohshme e Venezuelës, Delsi Rodrigez, u shpreh se vendi i saj nuk është “as i nënshtruar dhe as vasal” i Shteteve të Bashkuara, duke riafirmuar besnikërinë ndaj presidentit Nikolas Maduro.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Venezuelës njoftoi se ka zhvilluar takime edhe me ambasadorin rus në Karakas, Sergej Melik-Bagdasarov, duke theksuar vijimin e bashkëpunimit strategjik me Moskën.

Pavarësisht bisedimeve, tensionet mbeten të pranishme. Qeveria amerikane vijon të bllokojë eksportet e naftës së Venezuelës dhe së fundmi ndaloi një tjetër cisternë në ujëra ndërkombëtare. Paralelisht, Trump u ka bërë thirrje kompanive të mëdha të naftës të shfrytëzojnë situatën për të siguruar akses në rezervat venezueliane, duke garantuar siguri për investimet e tyre.

Nga ana tjetër, opozita venezueliane vijon presionin ndërkombëtar. Kandidati opozitar Edmundo González Urrutia, në mërgim në Spanjë, kërkoi njohjen e fitores së tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ndërsa liderja e opozitës Maria Corina Machado pritet të zhvillojë një takim me Trump në Uashington javën e ardhshme.

Në Karakas, familjarë të të burgosurve politikë janë mbledhur pranë institucioneve korrektuese në pritje të lirimeve të premtuara. Sipas organizatës Foro Penal, vetëm nëntë të burgosur janë liruar deri më tani, ndërsa mbi 800 të tjerë vijojnë të mbahen në burgjet venezueliane.

Situata në vend mbetet e tensionuar, me prani të grupeve paramilitare në disa zona të kryeqytetit, teksa zhvillimet diplomatike po ndiqen me vëmendje të lartë si brenda, ashtu edhe jashtë Venezuelës.