Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, së bashku me 6 persona të tjerë, mes tyre edhe Adela Ruko, bashkëshortja e ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi.
Të pandehurit akuzohen për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, më datë 8 janar 2026 është paraqitur kërkesa për gjykim në kuadër të procedimit penal nr. 196 të vitit 2024, që lidhet me një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), për projektin “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik”, me fond limit rreth 69.5 milionë lekë.
Nga hetimet e kryera nga SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit ka rezultuar se, në kohën kur Benet Beci ushtronte detyrën e Administratorit të KESH-it, ai në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit dhe të komisionit të vlerësimit të ofertave, kanë paracaktuar fituesin e tenderit dhe kanë krijuar avantazhe të padrejta për shoqërinë “Consulting & Management Albania” sh.p.k.
Hetimi ka evidentuar shkelje të shumta ligjore gjatë përllogaritjes së fondit limit, hartimit të termave të referencës, përcaktimit të kritereve të tenderit dhe vlerësimit të ofertave, në kundërshtim me ligjin “Për prokurimin publik” dhe rregullat përkatëse të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
SPAK thekson se provat janë siguruar përmes teknikave të posaçme hetimore, sekuestrimeve materiale dhe kontrollit në banesën e Evis Berberit, i pandehur në një procedim tjetër penal.
Çështja pritet të shqyrtohet nga gjykata e posaçme në vijim.









