Pas arrestimit të Nicolas Maduros në një operacion amerikan, Presidenti Donald Trump deklaroi se mezi pret të takojë María Corina Machado, lideren e opozitës venezueliane dhe fituesen e Çmimit Nobel për Paqe 2025. Një sinjal i qartë i mbështetjes së Uashingtonit për një tranzicion demokratik në Venezuelë. Machado, që prej kohësh ka qenë në krye të rezistencës ndaj një regjimi autoritar, shihet si figurë e pastër, konsistente dhe e vendosur në kauzën e saj.
Po në Shqipëri, çfarë ndodh? Nëse – një ditë – edhe këtu ndodh të arrestohet “Rama-duro” për abuzim me pushtetin dhe korrupsion galopant, a kemi një lidership opozitar që do të pritej në Shtëpinë e Bardhë me të njëjtin respekt si Machado?
Kjo pyetje lë të shumtë skeptikë. Sepse lideri i sotëm i opozitës shqiptare, që mbi shpinë mbart dizenjimin si person “non grata” në SHBA dhe Britani, përballë sfidave të tranzicionit, nuk ka arritur të përfaqësojë dot një shpresë të pastër e të besueshme për një epokë të re. Zëri i opozitës është shpesh më shumë reagim sesa vizion; më shumë retorikë sesa qartësi, më shumë kakofoni e interesa sesa ide dhe ekip udhëheqës me emra të papërfolur.
Machado, ndonëse në arrati, nuk u përkul. A do ta kalonte dot oqeanin opozita shqiptare nëse i vinte ora e vërtetës në Tiranë? Apo do mbytej rrugës, mes pazareve, përçarjeve dhe të shkuarës së saj të papërballuar?
Koha do ta tregojë. Por një gjë është e sigurt: demokracia ka nevojë për opozita që nuk zgjohen vetëm kur bien sirenat amerikane.









