ZYRTARE/ Përfundon numërimi i të gjitha votave në Kosovë – Vetëvendosje fiton shumicën – ja rezultati

Është përmbyllur procesi i numërimit të të gjitha fletëvotimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili bëri të ditur se është përfunduar edhe numërimi i votave me postë nga jashtë vendit.

Elezi theksoi se KQZ është e gatshme të shpallë rezultatin përfundimtar, por pritet të mbyllet afati për ankesat në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), siç parashikohet në Ligjin për Zgjedhjet.

Sipas rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 51.11% të votave dhe do të ketë 57 mandate në Kuvendin e Kosovës. Pas saj renditet PDK me 20.19% (22 mandate), LDK me 13.23% (15 mandate) dhe AAK me 5.5% (6 mandate). Ndërkohë, partitë e komuniteteve minoritare do të përfaqësohen me 20 deputetë.