Aktualisht, Gazprom, përmes Gazprom Neft dhe aksionarëve të lidhur me të nga Shën Petersburgu, zotëron 56.15 për qind të aksioneve të NIS-it
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se pret që deri më 23 janar të përfundojnë pikat kryesore të marrëveshjes ndërmjet Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) dhe blerësit të ri, kompanisë hungareze MOL.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, Vuçiç tha se grupi MOL pritet të bëhet partneri i ri i NIS-it. Sipas tij, MOL, NIS dhe shteti i Serbisë kanë përgatitur gjithashtu një dokument për Zyrën amerikane për Kontrollin e Pronës së Huaj (OFAC), me qëllim sigurimin e një licence operative që do t’i mundësonte NIS-it furnizim shtesë me naftë të papërpunuar.
Vuçiç shprehu besimin se OFAC do ta miratojë këtë kërkesë, duke paralajmëruar se në të kundërtën, NIS-it do t’i hiqej sërish licenca për operim.
OFAC, që funksionon në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit, nisi më 9 tetor zbatimin e sanksioneve ndaj NIS-it për shkak të pronësisë së kompanisë shtetërore ruse Gazprom Neft. Sipas Uashingtonit, këto masa synojnë të parandalojnë që Rusia të përdorë të ardhurat nga sektori i energjisë për luftën në Ukrainë. Kushti i SHBA-së për heqjen e NIS-it nga lista e sanksioneve ka qenë largimi i kompanive ruse nga struktura e pronësisë.
Aktualisht, Gazprom, përmes Gazprom Neft dhe aksionarëve të lidhur me të nga Shën Petersburgu, zotëron 56.15 për qind të aksioneve të NIS-it. Shteti i Serbisë ka 29.87 për qind, ndërsa rreth 14 për qind janë në pronësi të aksionarëve më të vegjël.
Si pasojë e embargos dhe pamundësisë për të importuar naftë të papërpunuar, më 2 dhjetor u mbyll Rafineria e Pançevës, e vetmja rafineri në Serbi dhe objekti më i rëndësishëm i NIS-it. Megjithatë, më 1 janar, NIS njoftoi se Departamenti amerikan i Thesarit i kishte dhënë një licencë të posaçme, e cila i lejon kompanisë të rifillojë aktivitetet operative deri më 23 janar.
Sipas njoftimit të NIS-it, kjo licencë përfshin rifillimin e përpunimit të naftës në rafineri, importimin e naftës së papërpunuar si dhe kryerjen e transaksioneve të nevojshme për sigurimin e furnizimit dhe mirëmbajtjen teknike të kapaciteteve.









