“KERCENIMI” I TEKNOLOGJISE/ Mbi 200 mijë vende pune rrezikohen Inteligjenca artificiale në bankat evropiane deri në 2030

Më shumë se 200 mijë vende pune në sektorin bankar në Evropë mund të zhduken gjatë pesë viteve të ardhshme, ndërsa bankat po përshpejtojnë përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) dhe po zhvendosin gjithnjë e më shumë shërbime drejt platformave digjitale.

Sipas një analize të Morgan Stanley, e cituar nga Financial Times, industria bankare evropiane mund të shkurtojë rreth 10 për qind të stafit deri në vitin 2030, si pjesë e përpjekjeve për të ulur kostot dhe për të rritur eficencën.

Shkurtimet pritet të prekin kryesisht shërbimet qendrore, përfshirë back dhe middle office, si edhe departamentet e menaxhimit të riskut dhe përputhshmërisë ligjore.

Analiza bazohet në të dhënat e 35 bankave kryesore evropiane, të cilat së bashku punësojnë rreth 2.12 milionë persona. Një ulje prej 10 për qind do të përkthehej në humbjen e rreth 212 mijë vendeve të punës.

“Shumë banka po flasin hapur për rritje të eficencës deri në 30 për qind falë AI-t dhe digjitalizimit”, thuhet në raportin e Morgan Stanley.

Bankat evropiane po përballen me presion të fortë nga investitorët, të cilët kërkojnë ulje kostosh dhe rritje të kthimit të kapitalit – një tregues ku bankat e Evropës kanë mbetur pas atyre amerikane.

Disa institucione kanë nisur tashmë ristrukturime të thella.

Në nëntor, banka holandeze ABN Amro njoftoi se do të shkurtojë rreth 20 për qind të stafit deri në vitin 2028, ndërsa drejtuesi i Société Générale paralajmëroi se “asgjë nuk është e paprekshme” në fushatën për uljen e kostove.