PREMIER LEAGUE/ Goli i parë me Liverpulin – Florian Wirtz: E dija që do vinte, kritikat më nxitën

Më në fund erdhi goli i parë me Liverpulin për Florian Wirtz, që për më tepër erdhi në paraqitjen e 23-të në të gjitha kompeticionet me “Reds”. Një dhuratë e vonë, por që nuk mund të… refuzohej.

Aksioni në sfidën e fituar ndaj Wolves u ndërtua bukur nga Hugo Ekitike, i cili u çlirua nga kundërshtari dhe asistoi vertikalisht për gjermanin, që shënoi nga afër brenda zonës. Në harkun e pak ditëve, Virc ka shprehur kënaqësinë e tij për golin e parë: “Ishte një ndjenjë shumë e bukur të jem në fushë me tifozët rreth e rrotull. Jam shumë i lumtur dhe ende ndihem i atillë, edhe tani që kanë kaluar disa ditë”, rrëfeu mesfushori për mediat angleze.

Teksa më pas vijoi: “Isha i sigurt se një ditë do të shënoja. Doja të filloja më herët me gola dhe asiste, por ndodhi kështu dhe duhet ta pranoj. Thjesht e dija që do të vinte dhe unë vazhdova të përpiqem. Ndërkohë që jo pak më nxitën edhe kritikat që erdhën në adresën time gjatë të gjithë kësaj periudhe…”, tha lojtari i Kombëtares gjermane.

Ai gjithashtu komentoi lojën e skuadrës, që fitoi, edhe pse jo pa përjetuar ndërlikime ndaj Uolvesit: “Luajtëm një pjesë të parë fantastike. Humbëm ndeshjen dhe e rikuperuam. Të gjithë punuan shumë. Në 20 minutat e fundit, e bëmë pak të vështirë për veten. Nuk mund ta shpjegoj përse. Duhet ta ndryshojmë këtë!”, shpjegoi gjermani.