Ambasada Amerikane ka reaguar menjëherë pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, këtë paradite, se prokurorët e SPAK nuk dinë të bëjnë punën e tyre. Selia diplomatike e Rrugës së Elbasanit ka nxjerr menjëherë fotografinë e hetuesit shqiptar Eduart Kaloshi, i cili sapo ka mbyllur diplomimin në Akademinë e FBI në SHBA.
“Çuarja përpara e bashkëpunimit në zbatimin e ligjit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë fillon me ofrimin e mundësive të trajnimeve të nivelit më të lartë për oficerët më të përkushtuar të Shqipërisë.
Ne përgëzojmë hetuesin e SPAK/BKH, Eduart Kaloshi, për diplomimin e tij këtë muaj në Akademinë Kombëtare të FBI-së”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane, pak minuta pasi kryeministri u shpreh nga konferenca e fundvitit se prokurorët e SPAK “nuk dinë të bëjnë punën e tyre”.
Kreu i qeverisë theksoi se SPAK nuk është opozita e qeverisë së tij, por një institucion i krijuar falë vullnetit të forcës qeverisëse që ai drejton, ama i cilësoi të patolerueshme dhe neveritëse “gjysmë të vërteta” që rrjedhin nga organi i akuzës.
Ndërkohë, Ambasada Amerikane thekson se hetuesi Eduard Kaloshi do t’i bashkohet grupit të shquar të ish-studentëve ndërkombëtarë të FBI-së, duke sjellë aftësi dhe ekspertizë të re e të vlefshme në përpjekjet e vendosura të SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Eduarti i bashkohet grupit të shquar të ish-studentëve ndërkombëtarë të FBI-së, duke sjellë aftësi dhe ekspertizë të re e të vlefshme në përpjekjet e vendosura të SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Arritjet e tij do të forcojnë më tej bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me SPAK dhe do të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj”, përmbyll Ambasada Amerikane.









