Bashkimi Evropian ka reaguar të hënën pas përfundimit të ciklit të ri zgjedhor në Kosovë, duke theksuar nevojën për formimin sa më të shpejtë të kuvendit dhe të qeverisë së re, si dhe përshpejtimin e reformave të që lidhen me procesin e integrimit.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, dhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, kanë theksuar se qeveria e re duhet të dyfishojë përpjekjet e saj drejt reformave shumë të nevojshme në rrugën drejt BE-së.
“Ne presim nga parlamenti që sapo të konstituohet t’i ratifikojë marrëveshjet nga Pani i Rritjes. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument i kufizuar në kohë i miratuar për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të ndodhë sa më parë që të jetë e mundur për t’i shfrytëzuar të gjitha mundësitë që jep ky plan në dobi të popullit të saj”, thuhet në komunikatë.
Komunikata e zyrtareve të larta të BE-së nënvizon gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, një proces që BE-ja e konsideron të domosdoshëm për përparimin e të dyja vendeve në rrugën europiane.
“Ne presim që të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, të zbatohen pa vonesa ose parakushte të mëtejshme. BE-ja është e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë sapo të krijohen kushtet”, thuhet në komunikatë.
Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar një fitore bindëse në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor, duke i hapur rrugë që të qeverisë e vetme edhe për katër vitet e ardhshme mes një vargu çështjesh që kërkojnë trajtim urgjent.









