VIZITA NE SHBA/ Bisedimet mbi të ardhmen e armëpushimit në Gaza – Trump pret Netanyahun në “Shtëpinë e Bardhë”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të takohet këtë të hënë me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, për bisedime që pritet të përqendrohen në të ardhmen e armëpushimit për Rripin e Gazës, ku negociatat për të filluar të ashtuquajturën fazën e dytë duket se kanë arritur në një rrugë pa krye.

Programi i energjisë bërthamore i Iranit, Siria, çarmatimi i lëvizjes Hezbollah të Libanit, janë çështjet që do të jenë në tryezë në këtë takim, i pesti që kur Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump pritet ta presë kryeministrin izraelit në orën 13:00 sipas orës lokale në rezidencën dhe klubin e tij, Mar-a-Lago, në Palm Beach të Floridës.

Sukses i vitit të parë të mandatit të tij të dytë, armëpushimi në Rripin e Gazës, i bazuar në një plan paqeje që parashikon të mbikëqyret personalisht nga Trump, i dha fund më 10 tetor dy muajve të luftës, e cila u nxit nga sulmi i Hamasit në pjesën jugore të territorit izraelit më 7 tetor 2023.

Megjithatë, bisedimet për nisjen e fazës së dytë kanë nisur, ku i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Steve Witkoff, dhe dhëndri dhe këshilltari i Trump, Jared Kushner, u takuan për këtë qëllim më herët këtë muaj në Miami me përfaqësues të Katarit, Egjiptit dhe Turqisë. Ndërkohë, Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit. Para se të fillojnë bisedimet për fazën e dytë, Izraeli kërkon kthimin e trupit të pajetë të pengut të fundit që mbetet në duart e lëvizjes islamiste në Rripin e Gazës. Hamasi kundërpërgjigjet se deri tani nuk ka mundur ta lokalizojë atë