Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Livadhet”, duke kapur një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, të dy banues në Shkodër.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, Forcat e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, finalizuan operacionin pas informacioneve mbi vendndodhjen e një prej shtetasve në kërkim.
Gjatë operacionit u kap 25-vjeçari S. C., ndërsa 39-vjeçari B. B. shpallet ende në kërkim. Ky i fundit ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale, vjedhje e kryer në bashkëpunim, mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve dhe municioneve, si dhe prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrolleve në zonën e “Livadheve të Kirasit”, në lagjen “Guerile”, u sekuestruan një armë zjarri automatike, municion luftarak, një sasi e dyshuar narkotike kanabis dhe një automjet “Toyota Hilux” pa targa, i cili rezultoi i vjedhur në Durrës.
Policia vijon kërkimin për shtetasin B. B. dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të dy shtetasve. Materialet iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.









