ÇESHTJA “EPSTEIN”/ Administrata Trump përgatitet të publikojë mijëra dokumente të dosjes tronditëse

Qeveria e Donald Trump po përgatitet të publikojë sot “qindra mijëra dokumente” që lidhen me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale, ndërsa materiale të tjera pritet të bëhen publike në javët në vijim, bëri të ditur një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Sot skadon afati ligjor që parashikon publikimin e të gjitha dokumenteve që administrata Trump ka në posedim për këtë çështje, e cila vazhdon të shkaktojë tronditje dhe polemika të forta në Shtetet e Bashkuara, gjashtë vjet pas vdekjes së Epstein.

“Pres që sot të publikojmë shumë qindra mijëra dokumente”, deklaroi në Fox News zëvendësministri i Drejtësisë Todd Blanche, duke sqaruar se ato “do të jenë në forma të ndryshme”.

Megjithatë, ai la të kuptohet se nuk bëhet fjalë për të gjithë materialin, pasi “qindra mijëra dokumente të tjera” do të publikohen “në javët e ardhshme”.

Blanche e justifikoi vonesën duke theksuar se është e domosdoshme që qeveria të sigurojë se “çdo viktimë do të mbrohet plotësisht”.

Vëzhguesit presin që dokumentet të jenë pjesërisht të censuruara, pasi Departamenti i Drejtësisë ka të drejtën të mos publikojë emra apo informacione sensitive.

“Ne po shqyrtojmë çdo dokument që do të bëhet publik, duke u siguruar që çdo viktimë, emri, identiteti dhe historia e saj, të mbrohet plotësisht, Deri më sot, nuk parashikohet ndjekje e re penale, por hetimi vazhdon”, theksoi Blanche, ish-avokat personal i Donald Trump.

Jeffrey Epstein u gjet i varur në qelinë e tij në Nju Jork më 10 gusht 2019, pak para se të përballej me gjyqin për krime seksuale. Vdekja e tij nxiti teori të shumta konspirative, sipas të cilave ai u vra për të mos u zbuluar një skandal që do të përfshinte figura me ndikim të lartë.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024, Trump kishte premtuar se do të bënte zbulime tronditëse për këtë çështje. Më pas, për shumë muaj, ai u kërkoi mbështetësve të tij “të kthenin faqen”, duke e cilësuar çështjen si një “mashtrim” të demokratëve.

Pas një kundërshtimi të gjatë, në muajin nëntor ai u detyrua të ratifikojë ligjin që detyron administratën e tij të publikojë të gjitha dokumentet që lidhen me këtë dosje.