Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nënshkruar Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (National Defense Authorization Act), i cili autorizon më shumë se 901 miliardë dollarë për programet e mbrojtjes dhe përfshin edhe Kosovën.
Ky ligj pasqyron rëndësinë që Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi i Shteteve të Bashkuara i kushtojnë sigurisë së Kosovës dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.
Akti i Autorizmit të Mbrojtjes Kombëtare përmban disa mesazhe si paqja, stabiliteti dhe e ardhmja demokratike e Kosovës janë interes strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare: Mbështet zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përfshirë perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Mbështet qartë marrëveshjen për normalizimin Kosovë–Serbi dhe bën thirrje për zbatimin e saj real. Konfirmon se objektivi përfundimtar është njohja e ndërsjellë. Refuzon çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike. Forcon mbështetjen e SHBA-së për demokracitë e Ballkanit Perëndimor dhe procesin e tyre të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.









