Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë vendit për Belinda Ballukun, e marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera për tunelin e Llogarasë dhe nën hetim për 7 procedura të tjera tenderuese.
Masa e pezullimit nga detyra nuk u shqyrtua pasi pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila do të mblidhet më 22 janar.
Po ashtu në fuqi janë lënë edhe masat e arrestit shtëpiak për dy vartësit e saj, kreu i ARRSH, Gentian Gjyli dhe drejtori i KESH, Erald Elezi.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, 5 me 3 në favor të kryeministrit Edi Rama, që e ktheu Ballukun në detyrat e ministres dhe zëvendës kryeministres, SPAK kërkoi leje në Kuvend për t’i hequr imunitetin Ballukun, një lëvizje që i hap rrugën arrestimit të saj.
Nëse Gjykata Kushtetuese do të vendosë që ta rrëzojë vendimin e GJKKO për pezullimin e saj nga detyra, atëherë Apeli i Posaçëm nuk mund të marrë vendim për sa kohë vendimet e Kushtetueses kanë fuqinë e ligjit dhe si të tilla zbatohen nga të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Njoftimi i plotë:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, sot më datë 18.12.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 86 akti, datë 11.12.2025 regjistrimi, mbi ankimet e ankuesve Belinda Balluku, Gentian Gjyli. dhe Erald Eelezi., me objekt “Ankim ndaj vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 dhe vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
- Miratimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 dhe vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket caktimit dhe vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në lidhje me ankimin e ankueses Belinda Balluku.
- Pezullimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjes nr.86 (61007-00414-87-2025), datë regjistrimi 11.12.2025, përsa i përket shqyrtimit të ankimit të ankueses Belinda Balluku. ndaj vendimeve nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që ajo ka kundërshtuar caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, deri në zgjidhjen me vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese të çështjes së regjistruar për gjykim në atë gjykatë, me kërkues: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “(i) zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit e Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë; (ii) shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që ka vendosur masën ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetases Belinda Balluku dhe pezullimin e këtij vendimi; (iii) interpretimin e pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës”, çështje për të cilën Gjykata Kushtetuese ka disponuar me vendimin datë 12.12.2025: “Pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës”.
- Miratimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 dhe vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket caktimit dhe vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, të parashikuara nga neni 237 i K.Pr.Penale, në lidhje me ankuesin Erald Eelezi.
- Miratimin e vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, të parashikuara nga neni 237 i K.Pr.Penale, masë e caktuar me vendimin nr. 118, datë 19.11.2025, në lidhje me ankuesin Gentian Gjyli.









