Boksieri amerikan Terence Crawford ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga boksi profesionist në moshën 38-vjeçare, duke e mbyllur karrierën me një rekord perfekt prej 42 fitoreve në 42 ndeshje. Crawford largohet nga ringjet pasi ishte shpallur kampion i padiskutueshëm në tri kategori të ndryshme, duke theksuar se “nuk ka më asgjë për të provuar”.
“Po largohem nga gara jo sepse nuk mund të luftoj më, por sepse kam fituar një betejë tjetër: atë të largimit me vendimin tim. Ky nuk është një lamtumirë, por fundi i një ndeshjeje dhe fillimi i një tjetre”, u shpreh Crawford në një video të publikuar në rrjetet sociale. Ndeshja e fundit e karrierës së tij, që vulosi rekordin e paprekur 42-0, u zhvillua në shtator të këtij viti kundër meksikanit Saul “Canelo” Alvarez. Crawford fitoi me vendim unanim dhe u shpall kampion i padiskutueshëm në kategorinë super-mesatare, duke realizuar një nga arritjet më të mëdha të karrierës. “I kam dhënë këtij sporti gjithçka: frymën e fundit, çdo plagë, çdo fitore dhe çdo copë të zemrës sime. Jam në paqe me atë që vjen.
Ka ardhur momenti”, deklaroi boksieri. Crawford e mbyll një karrierë 17-vjeçare, gjatë së cilës fitoi 18 tituj botërorë në pesë kategori të ndryshme. Boksieri nga Omaha ishte kampion i padiskutueshëm në peshat super të lehta, welter dhe supermesatare, si dhe mbajti tituj botërorë edhe në peshat të lehta dhe superwelter. Nga 42 fitoret e tij, 31 erdhën me nokaut, duke konfirmuar fuqinë dhe dominimin e tij në ring. Përballja me Alvarez u konsiderua një arritje historike, pasi Crawford u ngjit dy kategori më lart për ta sfiduar. Sipas revistës Forbes, Crawford ka fituar më shumë se 100 milionë dollarë gjatë karrierës së tij në ring.









