Emigrimi mbetet një nga sfidat më të mëdha strukturore për shoqërinë shqiptare.
Sipas Anketës së Migracionit të Ekonomive Familjare, të prezantuar nga INSTAT, rreth 37% e familjeve në Shqipëri kanë të paktën një anëtar që ka emigruar, aktualisht ose në të shkuarën.
Anketa, e realizuar mbi një kampion prej 5 mijë familjesh në të gjithë vendin, tregon se 22% e familjeve kanë një anëtar aktualisht jashtë Shqipërisë, ndërsa rreth 20% raportojnë të paktën një migrant të kthyer.
Sipas drejtueses së INSTAT, Elsa Dhuli, këto shifra dëshmojnë se emigrimi nuk është një fenomen periferik, por një realitet me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe social.
“Rezultatet tregojnë qartë se migracioni prek gjerësisht familjet shqiptare dhe ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën ekonomike dhe sociale të vendit”, u shpreh Dhuli, duke theksuar se balanca mes përfitimeve dhe kostove të emigrimit varet kryesisht nga politikat publike që ndërmerren.
Sipas saj, emigrimi sjell njëkohësisht përfitime, si remitancat dhe transferimi i përvojës, por edhe kosto të konsiderueshme, përfshirë humbjen e kapitalit njerëzor dhe plakjen e popullsisë.
“Migracioni sjell përfitime dhe kosto; balanca mes tyre varet nga politikat që zbatohen”, theksoi ajo.
Në të njëjtën linjë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare nënvizuan rëndësinë e të dhënave të sakta dhe gjithëpërfshirëse për hartimin e politikave efektive.
Ingrid Macdonald nga OKB deklaroi se përmirësimi i cilësisë së të dhënave është një nevojë strategjike, jo vetëm për menaxhimin e migracionit, por edhe për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
“Të dhënat e besueshme janë thelbësore për t’u mundësuar politikëbërësve të kuptojnë ndryshimet në kohë reale dhe për të ndërtuar politika më efektive”, u shpreh Macdonald.
Nga ana e saj, Evis Sulko nga Banka Botërore theksoi se përmirësimi i statistikave mbi migracionin është një parakusht për politika më të mira, si për frenimin e largimit, ashtu edhe për nxitjen e kthimit të emigrantëve.
“Mesazhi është i qartë: Shqipëria ka nevojë për të dhëna më të mira për migracionin, në mënyrë që të hartojë politika publike më efektive”, tha Sulko.
Anketa e Migracionit e INSTAT dhe Bankës Botërore ofron një panoramë të detajuar mbi dinamikat e migracionit, faktorët nxitës dhe ndikimet socio-ekonomike, duke u konsideruar nga ekspertët si një instrument kyç për orientimin e politikave zhvillimore dhe sociale në vitet në vijim.









