ZGJEDHJET NE KILI/ Ultrakonservatori Kast fiton balotazhin presidencial – fitorja e tij shënon kthesën e së djathtës në politikën kiliane

Kandidati ultrakonservator José Antonio Kast është zgjedhur presidenti i ardhshëm i Kilit, duke fituar balotazhin presidencial me një diferencë të thellë ndaj rivales së majtë.

Sipas rezultateve zyrtare, me mbi 99% të qendrave të votimit të numëruara, Kast siguroi 58.16% të votave, kundrejt 41.84% për Jeannette Jara, ish-ministre e Punës në qeverinë e presidentit aktual, Gabriel Boric.

Kast, ish-deputet dhe figurë e njohur e së djathtës ekstreme, e ndërtoi fushatën mbi premtimin për goditje të fortë ndaj krimit dhe dëbimin e dhjetëra mijëra emigrantëve të paligjshëm.

Ai njihet për qëndrime të ashpra konservatore, përfshirë kundërshtimin e abortit dhe martesave mes personave të të njëjtit seks, si dhe për admirimin ndaj ish-diktatorit Augusto Pinochet.

Në fjalimin e fitores, Kast deklaroi se “Kili fitoi” dhe se prioriteti i tij do të jetë rikthimi i sigurisë. “Duhet të tregojmë vendosmëri të madhe ndaj krimit, krimit të organizuar, pandëshkueshmërisë dhe çrregullimit”, u shpreh presidenti i zgjedhur.

Gjatë fushatës, ai e lidhi rritjen e pasigurisë me emigracionin e parregullt, duke paralajmëruar rreth 330 mijë emigrantë pa dokumente – kryesisht nga Venezuela – se duhet të largohen nga vendi ose do të dëbohen. Platforma e tij përfshin masa të forta sigurie në kufirin verior, përfshirë ndërtimin e barrierave, qendrave të ndalimit dhe rritjen e pranisë ushtarake.

Presidenti aktual Boric e ka uruar Kast për “fitoren e qartë” dhe e ka ftuar për një takim në pallatin presidencial La Moneda për të nisur procesin e tranzicionit. Edhe Jara ka pranuar humbjen, duke premtuar një opozitë “konstruktive” dhe duke dënuar çdo formë dhune.

Fitorja e Kast është përshëndetur nga disa liderë të djathtë në rajon, përfshirë presidentin e Argjentinës Javier Milei, si dhe nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Ndërkohë, edhe presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva ka shprehur gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin dypalësh.

Pavarësisht fitores së thellë, Kast nuk do të ketë shumicë absolute në Kongres, çka pritet ta detyrojë të negociojë me forca të tjera politike.

Analistët theksojnë se, ndonëse drejtimi i politikave të sigurisë është i qartë, mbeten ende paqartësi mbi mënyrën se si qeveria e re do të zbatojë reformat ekonomike dhe shkurtimet e shpenzimeve publike të premtuara.