Një polic ka mbetur i vdekur pak para se të ndodhte aksidenti në rrugën Zagrebi në Prishtinë.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
Zëdhënësi Pllana, ka thënë se hetimet lidhur me këtë aksident po vazhdojnë.
“Sot rreth orës 06:30 në rrugën Zagrebi në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku ka qenë e përfshirë një veturë. Njësitet policore dhe emergjenca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga këta të fundit është konstatuar vdekja e viktimës (zyrtar policor), që dyshohet të ketë ndodhë para aksidentit”, ka thënë Pllana për AP.
Ai ka potencuar se me rastin është duke u marrë Njësia Rajonale e Trafikut, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të sqaruar shkaqet e sakta të aksidentit.
Javëve të fundit, policia ka apeluar për kujdes në trafik për shkak të kushteve atmosferike dhe mjegullës së pranishme në vend, pasi ajo mund të krijojë iluzione optike dhe t’u japë shoferëve përshtypjen se po lëvizin më ngadalë sesa në të vërtetë.









