Pekini dhe Tokio janë përplasur në Detin Lindor të Kinës, pasi secila thotë se i është cënuar sovraniteti territorial. Shkak u bënë lëvizjet e anijeve të tyre pranë ishujve që administrohen nga Japonia por Kina i pretendon si të sajat.
Kina dhe Japonia kanë ashpërsuar retorikën e përdorur ndaj njëra tjetrës pas një përplasje që ndodhi pranë ishujve të Senkaku-Diaoyu në Detin Lindor Kinez.
Territoret janë nën administrimin e Japonisë, por Kina i pretendon si të sajat pasi sipas dokumenteve dhe hartave kineze të vjetra ishujt u zaptuan nga Japonia gjatë Luftës së Parë Sino-Japoneze 1894–1895 dhe më pas edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë çdo anije që hyn aty pa leje shihet nga Japonia si shkelje e sovranitetit të saj.
Ndaj ajo thotë se dy anije të Gardës Bregdetare kineze u afruan pranë anijes japoneze, por edhe Pekini nga ana tjetër pretendon të njëjtën gjë.
Ishujt ndodhen në një zonë shumë të rëndësishme për rrugët detare tregtare, burimet e peshkimit dhe rezervat e mundshme të gazit dhe naftës nën det.
Kontrolli mbi këto ishuj ka vlerë të madhe strategjike dhe ekonomike.
Edhe pse Japonia dhe Kina arritën një marrëveshje në parim në vitin 2008 për të shfrytëzuar së bashku burimet në Detin e Kinës Lindore, rrugën ujore që ndan të dy vendet, tensionet janë përshkallëzuar sërisht.









