Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka ankimuar vendimin e marrë ditë më parë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për pezullimin e saj nga detyra si dhe ndalimin e daljes jashtë vendit.
Balluku ka çuar në Apelin e GJKKO-së këto masa duke kërkuar shfuqizimin e tyre, ndërkohë që këtë të martë Kushtetuesja do të vendosë nëse do të kalojë për shqyrtimin e akimimin e qeverisë për pezullimin e zv.kryeministres.
Vendimi pritej prej ditësh, por shqyrtimi i kërkesës u shty deri më 2 dhjetor. Arsyeja lidhej me largimin nga seanca të anëtares Holta Zaçaj, pjesë e Kolegjit që do të duhej të trajtonte çështjen në dhomë këshillimi. Në vend të saj u caktua gjyqtarja Marsida Xhaferllari, e cila kërkoi kohë shtesë për t’u njohur me dosjen.
Nëse Kolegji vendos sot ta kalojë çështjen për gjykim, atëherë pritet që seanca plenare e Gjykatës Kushtetuese të shprehet fillimisht për shuarjen e efekteve të pezullimit, ndërsa mbetet në pritje vendimi final për çështjen në fjalë.
Kryeministria i kërkoi Gjykatës Kushtetuese, si institucioni i vetëm dhe më i lartë që mund të interpretojë ligjet dhe vendimet e Republikës, që të shfuqizojë vendimin e Gjykatës së Posaçme, i cili nuk e lejon Belinda Ballukun të ushtrojë detyrën si Ministre dhe Zëvendëskryeministre.
Gjithashtu, Qeveria shqiptare kërkon pezullimin e vendimit deri në përfundimin e shqyrtimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese, si dhe interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, i cili përcakton kompetencat e Kryeministrit dhe të Këshillit të Ministrave.
Më poshtë, tre kërkesat e Këshillit të Ministrave për Gjykatën Kushtetuese:
1- Shfuqizimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025, të GJKKO-së, për pjesën që ka vendosur masën ndaluese ndaj Ballukut;
2- Pezullimin e këtij vendimi deri në përfundimin e shqyrtimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese;
3- Interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, i cili përcakton kompetencat e Kryeministrit dhe të Këshillit të Ministrave.
Siç është njoftuar zyrtarisht, Prokuroria e Posaçme e akuzon Belinda Balluku për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë në tendera”, në dy raste; për Tunelin e Llogarasë dhe për tre Lote të ndërtimit të Unazës së Madhe në Tiranë.
Belinda Balluku është numri dy i qeverisë shqiptare dhe në mungesë të kryeministrit, ajo ka atributet kryesore të drejtimit të vendit. Përveç propozimeve për ndryshime në kabinet të cilat janë detyrë ekskluzive e kryeministrit, zëvendësi ushtron të gjitha të tjerat.
Ndërkohë një ditë më parë, kryeministri Rama mohoi kategorikisht çdo presion mbi drejtësinë, duke theksuar se ndërhyrja e tij në proces është bërë vetëm në cilësinë e kryeministrit dhe në mbrojtje të balancës mes pushteteve.
Kreu i qeverisë u shpreh se ka qenë vetë ai që e ka ankimuar vendimin në Kushtetuese, jo në mbrojtje të një individi, por për të ruajtur integritetin e ekzekutivit nga ndërhyrja e palëve të tjera. Sipas tij, një prokuror apo gjyqtar nuk mund të marrë kompetencat që Kushtetuta ia njeh qartë kryeministrit dhe presidentit në lidhje me përbërjen e qeverisë.
“Kjo është një betejë institucionale për të mos lejuar atë që edhe Komisioni i Venecias e konsideron shkelje të palejueshme të kufirit ndarës mes pushteteve,” deklaroi Rama, teksa më tej paralajmëroi se legjitimi i pezullimit të një ministri nga drejtësia do të krijonte precedent të rrezikshëm, duke i hapur rrugë destabilizimit institucional.









