VLERESIMI/ Prokuroria e Posaçme në skenën globale: Brukseli jehonë rezultateve të SPAK në takimin 3-palësh BE–Amerikë Latine–Ballkan Perëndimor për luftën kundër krimit të organizuar

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, në përmbyllje të vizitës së tij të suksesshme në Bruksel javën e kaluar, përfaqësoi Shqipërinë në një takim historik trepalësh mes zyrtarëve të lartë nga Bashkimi Evropian, Amerika Latine dhe Ballkani Perëndimor, i fokusuar te lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës.

Mbi 100 pjesëmarrës morën pjesë në aktivitetin e organizuar nga Komisioni Evropian, përfshirë përfaqësues nga 18 shtete anëtare të BE-së.

Në fjalën e tij, Dumani vuri në dukje rezultatet konkrete të SPAK-ut në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë e BE-së, veçanërisht në identifikimin dhe analizimin e komunikimeve të enkriptuara të përdorura nga grupet kriminale për koordinimin e veprimtarive të paligjshme.

Ky bashkëpunim ka çuar në arrestime të rëndësishme në Shqipëri dhe në disa vende të Evropës, si dhe në shkatërrimin e rrjeteve kriminale ndërkufitare, përfshirë ato me lidhje në Amerikën Latine.

Mesazhi kryesor i Dumanit – se vetëm një përgjigje e koordinuar mund të sjellë rezultate kundër rrjeteve kriminale që veprojnë globalisht – u reflektua gjerësisht edhe nga përfaqësuesit e BE-së dhe pjesëmarrës të tjerë.

Ata ranë dakord për nevojën e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë gjyqësor dhe policor, duke përfshirë shkëmbimin e inteligjencës, hetimet financiare, analizën e të dhënave dhe ngritjen e ekipeve të përbashkëta hetimore.

Në një fjalim të mbajtur në European Policy Centre në Bruksel ndërkaq, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, solli në vëmendje mësimet nga reforma në drejtësi dhe rolin e SPAK-ut si institucioni më i dukshëm dhe më i besuar.

Ai kujtoi se reforma e vitit 2016 ishte një pikë kthese e domosdoshme, pasi sistemi i mëparshëm “ishte i kapur, i komprometuar dhe pa besimin e publikut”.

Sipas Dumanit, vetting-u i magistratëve ishte vendimi më i guximshëm i atyre viteve, duke tronditur sistemin, por edhe duke dhënë një mesazh të qartë se pavarësia nuk ishte thjesht një parim teorik.

“Rreth 50% e gjyqtarëve dhe prokurorëve u shkarkuan”, kujtoi ai, duke e cilësuar procesin si një moment ndarës për ndërtimin e arkitekturës së re të drejtësisë.

Por pavarësia, tha Dumani, ka kuptim vetëm kur shoqërohet me aftësi reale për të vepruar.

“Pavarësia e SPAK nuk është simbolike. Është kushti që u ka lejuar prokurorëve të punojnë pa frikë dhe pa ndërhyrje”.

Kjo u mbështet me ngritjen e kapaciteteve në hetimet financiare, analizën kibernetike dhe gjurmimin e kriptomonedhave, pasi – siç theksoi ai – “nuk mjafton të jesh i pavarur, duhet të jesh efektiv”.

Dumani nënvizoi se sukseset e SPAK-ut kanë transformuar besimin publik.

“SPAK ka qenë institucioni më i besuar në Shqipëri për tre vite me radhë, me rreth 70 për qind mbështetje”.

Ky besim, sipas tij, ka fuqizuar denoncimet, kurajon qytetare dhe perceptimin se shteti mund të mbrojë interesin publik.

Një tjetër leksion madhor i këtyre viteve ishte se krimi i organizuar nuk njeh kufij.

“Nga fillimi e kuptuam se sfida nuk ishte shqiptare, por evropiane”.

Dumani vuri në dukje se rrjetet shqiptare të krimit operojnë në pothuajse të gjitha vendet e BE-së, por edhe në SHBA e Amerikën Latine, çka e bënte bashkëpunimin ndërkombëtar të domosdoshëm.

Sot, tha ai, SPAK konsiderohet partner i besueshëm “dhe kjo ka qenë një nga arritjet tona më të rëndësishme”.

Vetëm vitin e kaluar, Shqipëria krijoi 10 ekipe të përbashkëta hetimore me Italinë, Spanjën, Britaninë, Gjermaninë, Kosovën dhe vende të Amerikës Latine, ndërsa 27 JIT të tjera vijuan punën.

“Nga vend që priste informacion, Shqipëria është bërë burim inteligjence për partnerët evropianë”, theksoi Dumani.

Rezultatet janë domethënëse: 76 zyrtarë të nivelit të lartë janë hetuar, qindra miliona euro janë sekuestruar dhe dhjetëra organizata kriminale janë shkatërruar falë operacioneve të përbashkëta.

Megjithatë, Dumani kujtoi se rruga nuk ka mbaruar: reforma nuk ka qenë perfekte dhe procesi vijon. Por mesazhi mbetet i qartë: “Transformimi sistemik është i mundur kur institucionet ndërtohen jo për rehati politike, por për shërbim ndaj publikut.”

Ai mbylli me një zotim të drejtpërdrejtë: SPAK do të vazhdojë të punojë në mënyrë të pavarur, të prodhojë rezultate dhe të justifikojë besimin e qytetarëve – “krahas partnerëve evropianë kundër një kërcënimi që na përket të gjithëve”.