BLLOKADA E KURTIT/ LDK mbështet kryebashkiakun Rama – deklarohet Abdixhiku: Mosfinancimi i Prishtinës rrezikon shkolla, qendra mjekësore dhe shërbime bazike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar për situatën në Prishtinë, ku transportuesit publik e privat po protestojnë për paga dhe për këtë arsye kanë ndaluar të ofrojnë shërbimin e tyre.

Abdixhiku, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se kur bllokada 10-mujore e shtetit ka marrë fund, pushteti në detyrë – Lëvizja Vetëvendosje – vendosi të bllokojë Prishtinën.

“Sepse nuk dinë më shumë. Kjo është mendja e tyre. Jetojnë për bllokadë, punojnë për bllokadë, ushqehen me bllokadë! Dhe ja ku jemi sot, pa transport publik në Kryeqytet; me punëtorë pa paga e në protestë; me qytetarët në pritje nëpër stacione dhe me një pushtet arrogant që në vend të arsyes vazhdon të ushtrojë hakmarrje politike ndaj Prishtinës duke akuzuar secilin tjetër”.

Ndër të tjera, ka paralajmëruar se kjo protestë do të bllokoj edhe shërbime të tjera.

“Dhe ky është vetëm fillimi. Bllokada e Prishtinës rrezikon tutje shkolla, qendra mjekësore, shërbime bazike për njerëzit e këtij vendi”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se popullistët nuk duan ta kuptojnë se kur bllokojnë buxhetin e kryeqytetit, nuk e bllokojnë LDK-në, por jetën e qytetarëve.

“E bllokojnë mësimin e fëmijëve, punën e prindërve, ekonominë e Prishtinës; kryeqendrën e vet shtetit. Dhe kur këta fshihen pas justifikimeve burokratike, atëherë secili e ka të qartë se problemi nuk është më tek procedura, por tek vullneti politik që këta nuk e kanë. Pra nuk është te ligji, por te mllefi. Nuk është te mirëkuptimi, por te arroganca”.

Sipas tij, Prishtina ka folur një herë dhe do të flasë sërish.

“Prishtina nuk i kërkon paratë e Qeverisë, prandaj nuk i duhet asnjë votim në Kuvend. Prishtina i kërkon paratë e veta, plot 35 milion euro taksa komunale e grant, që i janë plaçkitur nga bllokuesit për hakmarrje të pastër politike. Prishtina nuk i kërkon as paratë e vitit 2026, por të këtij viti që ka tashmë buxhet; jemi ende në vitin 2025”.

Abdixhiku ka përmendur gjithashtu disa nga vendimet e fundit që ka marrë Qeveria në detyrë dhe për të cilat nuk ka kërkuar votim në Kuvend.

“Arsyetimet për mungesë të votave në Parlament janë vetëm ushqime për militantë. Fundja, me cilin votim në Kuvend, i ndanë këta nga 100 euro për studentë dy ditë para zgjedhjeve? Si është e mundur që për blerje votash e dhënie vitrash nuk paska nevojë për votime nga ne; por ja që për paratë e Prishtinës, ato që i mbledhë Kryeqyteti vet, paska tani një procedurë që po varej nga ne?!”.

“Prishtina ka folur një herë. Do të flasë sërish”.

Ai ka shtuar se Prishtina nuk mbahet peng, as sot, as nesër.