Spektakël në pistën e Las Vegasit ku Formula 1 u kthye në një paradë yjesh. Beyoncé mori vëmendjen kur Lewis Hamilton e ftoi për një xhiro me shpejtësi marramendëse. Ndërsa në garë triumfoi Max Verstappen, duke lënë pas Norris dhe Russell.
Spektakël dhe shkëlqim në Çmimin e Madh të Las Vegasit, ku Formula 1 nuk diti të shkëlqente vetëm në pistë, por edhe në tapetin e yjeve.
Gara e shumëpritur në “Sin City” u kthye në shfaqje të modës, luksit dhe adrenalinës.
Në qendër të vëmendjes ishte superylli i muzikës, Beyoncé. E shoqëruar nga bashkëshorti Jay-Z, këngëtarja 44-vjeçare u shfaq me një stil të veçantë me lëkurë të zezë, duke e dominuar arenën me prezencën e saj ikonike.
Momenti më i komentuar ishte kur Lewis Hamilton e ftoi Beyoncé për një xhiro të shpejtë, duke arritur shpejtësi deri në 300 km/h. Shtatë herë kampioni i botës i dhuroi këngëtares një përvojë të paharrueshme, mes ovacioneve të publikut.
Në Las Vegas shkëlqyen edhe partneret e pilotëve. Charles Leclerc u shfaq me të fejuarën e tij, Alexandra Saint Mleux, ndërsa Rebecca Donaldson e pilotit Carlos Sainz tërhoqi vëmendjen në bokse. Modelja Brooks Nader përzgjodhi një look sportiv me xhaketë garash.
Mes të pranishmëve ishin edhe figura politike amerikane si Kristi Noem dhe Kash Patel, të cilët u panë duke pozuar me një Cadillac rozë të ndërtuar tërësisht me Lego.
Në pistë, Lando Norris u dallua në provat me shi duke siguruar “pole position”, por fitues doli kampioni Max Verstappen. Pas tij u renditën Norris dhe George Russell, ndërsa Lewis Hamilton e mbylli garën në vendin e 10-të.
Las Vegasi konfirmoi edhe një herë se nuk di të bëjë garë pa spektakël, duke bashkuar shpejtësinë me yjet e showbiz-it në një natë të paharrueshme.









