POLITIKA E VIZAVE/ Mali i Zi ashpërson masat për shtetasit rusë – ndjek strategjinëe BE

Mali i Zi kthen një faqe të re në politikën e vizave. Qeveria në Podgoricë njofton se shumë shpejt do të ashpërsohet regjimi për shtetasit rusë, duke u përafruar plotësisht me rregullat e Bashkimit Evropian. Një vendim që vjen mes presioneve nga Brukseli dhe një realiteti të fortë ekonomik ku rusët për vite kanë qenë vizitorët dhe investitorët kryesorë në vend.

Edhe pse Vladimir Putin vazhdon luftën në Ukrainë, pasojat po i ndiejnë jo vetëm ushtarët në front, por edhe qytetarët e thjeshtë. Nga Ballkani vjen një tjetër sinjal: Mali i Zi do t’u kërkojë rusëve viza për të kaluar doganat e tij.

Podgorica po rreshtohet plotësisht me politikën e Bashkimit Evropian dhe ashpërson rregullat, duke i prekur drejtpërdrejt mijëra rusë që jetojnë dhe udhëtojnë drejt vendit mesdhetar.

Shumë shpejt.” Kështu e paralajmëroi kryeministri Millojko Spajiç vendimin që pritet të ndryshojë lëvizjet e qytetarëve rusë drejt Malit të Zi.

Aktualisht, rusët mund të hyjnë e të qëndrojnë deri në 30 ditë pa vizë. Por me një praktikë që u ka lejuar ribërje të pafundme të hyrje-daljeve, duke e zgjatur qëndrimin pa kufizim. Me regjimin e ri, kjo mund të marrë fund.

Sipas Ministrisë së Brendshme, mbi 21.100 shtetas rusë jetojnë në Mal të Zi.

Ndërsa 230 mijë turistë rusë vizitojnë vendin çdo vit, një numër që ka qenë një arsye e fortë që Podgorica të hezitonte deri tani të vendoste viza.

Por Komisioni Evropian ka qenë i qartë: pa harmonizim të vizave nuk ka përparim në bisedimet e anëtarësimit dhe as hyrje në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Përveç Rusisë, Mali i Zi duhet të vendosë viza edhe për Azerbajxhanin, Bahrejnin, Bjellorusinë, Kinën, Katarin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë. Për Turqinë, vizat janë vendosur së fundi.

Autoritetet malazeze shpresojnë që deri në fund të vitit 2027 ta përfundojnë harmonizimin e vizave, dhe në vitin 2028 të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.

Një vendim që mund të ndryshojë ekonominë dhe turizmin, por Podgorica e ka bërë të qartë: Europa vjen e para.