ANALIZA E AFP/ Plani i Trump për paqe në Ukrainë – sipas Agjencisë Franceze: Kiievi mund të humbasë deri 20% të territorit sipas propozimit të SHBA

Një analizë e publikuar nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) hedh dritë mbi pasojat territoriale që do të kishte për Ukrainën pranimi i planit amerikan të paqes. Sipas vlerësimit të Institutit Amerikan për Studimin e Luftës (ISW), Moska do të përfitonte një fitim të konsiderueshëm territorial pa qenë nevoja për luftime.

Plani, i cili i ka rënë në dorë AFP-së, parashikon tërheqjen e forcave ukrainase nga disa territore që aktualisht kontrollohen prej tyre, duke i sjellë Rusisë një fitim neto prej rreth 2,300 km², pothuajse sa madhësia e Luksemburgut. Këto zhvillime do të ndodhnin pa përleshje ushtarake.

Sipas dokumentit, Kievi do të detyrohej të heqë dorë nga afro 5,000 km² në rajonin e Donetskut, që do të shërbenin për krijimin e një “zone neutrale”.

Në këtë kategori përfshihen edhe dy qendrat kryesore strategjike, Kramatorsk dhe Sloviansk. Po ashtu, një enklavë prej 45 km² në Luhansk do të kalonte nën kontroll rus.

Në këmbim, Moska do t’i kthejë Ukrainës rreth 2,000 km² në rajonin e Kharkivit, si dhe sasi më të vogla territori në Dnipropetrovsk (450 km²), Sumy (300 km²) dhe Chernihiv (20 km²).

Dokumenti parashikon gjithashtu njohjen de facto të Krimesë, të aneksuar nga Rusia në vitin 2014, si dhe të rajoneve Donetsk dhe Luhansk si pjesë të territorit rus. Rusia do të mbante edhe zona të gjera që aktualisht kontrollon në Kherson dhe Zaporizhia.

Humbja totale: 20% e territorit ukrainas

Nëse plani zbatohet, Ukraina do të humbasë përfundimisht rreth 20% të territorit, ndërsa do të rikthejë më pak se 0.5% të tij. Analiza nënvizon se vetëm gjatë muajit nëntor, Rusia ka avancuar me rreth 400 km², duke shtuar ritmin krahasuar me muajt e mëparshëm.

Deri më 20 nëntor, forcat ruse kontrollonin 19.3% të territorit ukrainas, përfshirë zonat që ishin tashmë nën kontroll rus para pushtimit të shkurtit 2022 — rreth 7% e territorit ukrainas (Krimea dhe pjesë të Donbasit).