Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka sulmuar ashpër komisioneren për Zgjerimin të BE-së, Marta Kos, duke e akuzuar se po “ambalazhon” kryeministrin Edi Rama, të implikuar sipas tij në afera korruptive, me vlerat dhe simbolikën evropiane.
Në një deklaratë me tone të forta publike, Noka tha se Kos po toleron një “devijim nga standardet evropiane”, duke u bërë palë me pushtetin lokal në vend që të mbrojë institucionet dhe vlerat e Bashkimit Evropian.
“Zonja Kos, mos u bëj Bozë!”, shkruan Noka, duke përdorur një gjuhë provokative dhe metaforike për ta paralajmëruar komisioneren që të mos bëhet “palë” e politikave që ai i quan antievropiane.
Ai shtoi se burokratë nga jashtë, të “sponsorizuar nga George Soros”, janë të gatshëm të lëshojnë kritika minimale, ndërsa kritikët realë të Ramës injorohen. Noka akuzoi se Marta Kos po injoron raportet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri – raporte që sipas tij zbulojnë shkelje të rëndësishme demokratike.
Gjithashtu, Noka hodhi akuza specifike në lidhje me menaxhimin evropian të fondeve, duke përmendur programin IPARD dhe pyeti nëse kryeministri Rama do të “kullandrisë” sërish paratë e taksapaguesve evropianë, siç pretendon ai se ka bërë më parë.
Në përfundim, Noka bëri thirrje që Shqipëria të përputhet me standardet evropiane – dhe jo të paraqitet si “një Evropë e kontrolluar nga Rama”.









