INSUSTRIA E LUFTES/ Britania gati të ndërtojë një rrjet fabrikash armatimi – rikthen pas dy dekadash prodhimin vendas të municioneve

Britania do të ndërtojë një rrjet fabrikash të reja municionesh për të rritur gatishmërinë ushtarake dhe për të rikthyer prodhimin vendas të eksplozivëve për herë të parë pas gati dy dekadash, raporton Reuters.

Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, pritet ta bëjë njoftimin zyrtar, ku do të konfirmojë se ndërtimi i fabrikës së parë do të nisë vitin e ardhshëm, shkruan agjencia britanike.

Londra ka angazhuar 1.5 miliardë paund investime shtesë për prodhimin e municioneve dhe komponentëve të tyre.

Deri tani janë identifikuar të paktën 13 vende potenciale ku mund të ndërtohen fabrikat, të cilat do të prodhojnë municione, eksplozivë, propellantë dhe mjete piroteknike për ushtrinë britanike, si edhe mbështetje për Ukrainën.

Nga projekti pritet të krijohen të paktën 1 mijë vende të reja pune. Paralelisht, qeveria po financon studime fizibiliteti për prodhim me volum të lartë, ndërsa puna inxhinerike për fabrikën e parë është tashmë në zhvillim.

Në të njëjtën kohë, dy fabrika të reja dronësh po hapen këtë javë në jugperëndim të Anglisë, si pjesë e një pakete investimesh prej 250 milionë paundë.

Ministria e Mbrojtjes pritet të publikojë edhe një udhëzim të ri mbi prokurimet, ku do të përcaktohen investime shumëvjeçare dhe materialet strategjike që Britania do të prodhojë për të përmirësuar kapacitetet e saj ushtarake dhe industriale.