KONSTITUIMI/ Një ditë më parë protestë – sot PD bëhet bashkë me PS në Komisionin e Posaçëm Zgjedhor për Reformën e rradhës – ja rendi i ditës

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore nis punën këtë të martë në orën 12:00. Në rendin e ditës parashikohet përcaktimi i numrit të ekspertëve teknikë që do të asistojnë komisionin, si edhe miratimi i kërkesave për mbështetje teknike.

Komisioni është ngritur me votat e përbashkëta të PS dhe PD në parlament dhe përfshin përfaqësues nga të gjitha partitë. Përbërja e tij është 7 anëtarë do të ketë PS, 5 PD, 1 PSD, 1 Partia Republikane, 1 Partia e Lirisë, 1 Mundësia.

Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet mund të marrin pjesë në diskutime, por pa të drejtë vote. Komisioni do të bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.

Reforma Zgjedhore ka qenë prej kohësh një kërkesë e vazhdueshme e ndërkombëtarëve. Ajo është theksuar si domosdoshmëri si në raportin final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ashtu edhe në progres raportin e BE për Shqipërinë.

Edhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato, e ka konsideruar reformën një hap kyç drejt procesit të integrimit evropian.