Ky njoftim vjen pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) dhe sektorë të tjerë të Pentagonit për rrezikun e spiunazhit kinez
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, u tha gazetarëve në Zyrën Ovale se Shtetet e Bashkuara do t’u shesin Arabisë Saudite avionë luftarakë F-35A Lightning II.
Ky njoftim vjen pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) dhe sektorë të tjerë të Pentagonit për rrezikun e spiunazhit kinez.
Trump nuk dha detaje të tjera mbi masat për të mbrojtur teknologjinë e avionëve, por vendimi ka ngjallur diskutime të reja mbi sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet e SHBA-ve me vendet e Gjirit.
Izraeli ndërkaq i ka bërë të qartë administratës amerikane se nuk kundërshton parimisht furnizimin e Arabisë Saudite me avionët stealth F-35, por kërkon që çdo shitje e një sistemi të tillë strategjik të kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve midis Riadit dhe Jerusalemit.
Lajmi u publikua nga Channel 12 dhe konfirmohet nga një raport i Barak Ravid në Axios, i cili citon dy burime izraelite të përfshira në diskutimet me SHBA-të.
Sipas burimeve, Izraeli e sheh kërkesën saudite për F-35 në një kategori të ndryshme nga ajo e Turqisë – një vend që Jerusalemi e ka kundërshtuar me forcë të pajiset me avionët e rinj për shkak të rivalitetit të drejtpërdrejtë rajonal.
“Ne i thamë administratës Trump se furnizimi i Arabisë Saudite me F-35 duhet të jetë i lidhur me normalizimin e marrëdhënieve”, citon Axios një zyrtar izraelit. “Çdo qasje tjetër do të ishte kundërproduktive”.
Një tjetër zyrtar shton se shqetësimi izraelit për pajisjen e Turqisë me F-35 lidhet me balancën rajonale të fuqisë, ndërsa në rastin saudit dilemat janë më të vogla nëse procesi bëhet pjesë e një arkitekture të re sigurie në kuadër të Marrëveshjeve të Abrahamit, ashtu si me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Aktualisht, Izraeli është i vetmi shtet në Lindjen e Mesme që operon F-35, me 45 avionë aktivë dhe 30 të tjerë në porosi.
Në të kaluarën, ai ka shprehur rezerva të forta për shitjen e platformës më të avancuar amerikane tek shtete që mund të ndikojnë në epërsinë e tij ushtarake cilësore – një parim që SHBA është e detyruar ta garantojë me ligj.
Një nga zyrtarët i tha Axios se Izraeli kërkon gjithashtu që çdo F-35 saudite të mos stacionohet në pjesën perëndimore të vendit, duke theksuar sa afër janë dy shtetet nga ajri: “I duhen vetëm disa minuta një F-35-i për të kaluar prej Arabisë Saudite në Izrael”.









