PRANGOSJA/ Arrestohet marinari i tragetit Durrës-Ankona – Tentoi të kalonte pakon me kanabis

Policia kufitare në Portin e Durrësit në bashkëpunim me antidrogën arrestuan një shtetas italian marinar në një traget linje Durrës – Ankona, i cili tentoi të kalonte në portin e Durrësit me një pako me lëndë narkotike kanabis.

Në kuadër të operacionit të koduar Next, u vu në pranga për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, shtetasi italian S. M., 25 vjeç, banues në Itali, i punësuar me detyrë marinar në një traget Durrës-Ankona.

“Ky shtetas u kap në flagrancë në ambientet e terminalit të pasagjerëve të Portit Durrës, në dalje të Republikës së Shqipërisë. Pas kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, bazuar në informacionet e siguruara më parë, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pako brenda së cilës kishte lëndë narkotike në formë boçeje, të dyshuar kanabis”, bëri me dije policia.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasit të arrestuar në flagrancë S. M., për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.