Çmimet e naftës u rritën mbi 2% pas sulmit ukrainas ndaj portit rus të Novorossiysk, një nyje kyçe eksporti. Mbyllja e përkohshme e portit ndaloi rreth 2% të furnizimit global me naftë bruto. Analistët paralajmërojnë se sanksionet dhe sulmet e përsëritura mund të ndikojnë më tej tregun energjetik në muajt e ardhshëm.
Tregjet globale të energjisë reaguan menjëherë pas sulmit ukrainas në portin rus të Novorossiysk, një nga nyjet më të rëndësishme të eksportit të naftës në Detin e Zi.
Mbyllja e portit detyroi pezullimin e eksporteve të rreth 2.2 milionë fuçive në ditë rreth 2% e furnizimit global.
Si rezultat, çmimet e naftës Brent u rritën mbi 2%, duke arritur në 64.39 dollarë për fuçi. Nafta amerikane u ngjit në 60.09 dollarë, një rritje prej 2.39%.
Sulmi me dron dhe raketa dëmtoi rezervuarë karburanti, një anije të ankoruar dhe ndërtesa banimi, duke plagosur tre anëtarë të ekuipazhit. Mbetjet e dronëve ranë edhe mbi terminale të tjera portuale, ndërsa autoritetet ruse raportuan dëmtime të konsiderueshme në strukturat bregdetare.
Kievi konfirmoi përdorimin e raketave kruiz Neptune dhe dronëve sulmues, duke e përshkruar operacionin si pjesë të përpjekjeve për të goditur potencialin ekonomik të Rusisë. Ukraina raportoi gjithashtu sulme të tjera ndaj një rafinerie në Saratov dhe një objekti karburanti në Engels.
Ndërprerjet e mëdha në infrastrukturën ruse të naftës po krijojnë pasiguri të re në tregun global.









