PRIORITETET/ Konferenca e përbashkët me FMN dhe BSH – ministri Malaj: Projektbuxheti 2026, kujdes të veçantë për pensionistët dhe…

Pas përfundimit të misionit të FMN-së në Shqipëri, Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar zhvilluan një konferencë të përbashkët, ku u diskutuan zhvillimet e fundit ekonomike dhe financiare të vendit.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi se pritet një ulje e borxhit publik dhe theksoi se projektbuxheti i vitit 2026 mbetet një nga prioritetet strategjike të qeverisë. 

Ai shtoi se fokusi kryesor i investimeve do të vazhdojë të jetë sektori i turizmit dhe pasuritë e paluajtshme, ndërkohë që investimet e huaja janë rritur me 7% gjatë këtij viti.

“Projektbuxheti i vitit 2026 mbetet një nga prioritetet tona. Ai përfshin forcimin e sektorit të mbrojtjes, kujdes të veçantë për pensionistët dhe reduktimin e vazhdueshëm të borxhit publik. Ky buxhet garanton ruajtjen e balancës fiskale dhe konsolidimin e stabilitetit ekonomik,” deklaroi ministri Malaj.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka sqaruar arsyet pse qeveria shqiptare ka vendosur të japë bonus për pensionistët dhe jo një rritje direkte të pensioneve.

Sipas tij, qeveria po ristrukturon skemën e pensioneve për të garantuar rritje të qëndrueshme në të ardhmen.

“Teksa bëjmë vlerësime të skemës, kemi menduar që të veprohet mbi bazën e bonuseve, të cilat do të shoqërohen edhe me ndryshime strukturore që do të prekin pensionet,” tha Malaj.